Berisha: Titujt e gazetave Rama-Basha në Lubjanë, Berisha në Gjirokastër, u ndjeva 1000 herë i lehtësuar
Takimin e radhës me demokratët ish-kryeministri Sali Berisha e zhvilloi në Gjirokastër. Para tyre ai akuzoi kreun e PD-së, Lulzim Basha se po bashkëpunon me kreun e qeverisë Edi Rama dhe fakt, sipas tij, është vizita e të dyve në Slloveni.
"Duke ardhur në Gjirokastër në mëngjes shoh titujt e gazetave, Rama Basha në Lubjanë, Berisha në Gjirokastër. U ndjeva 1000 herë i lehtësuar. Ata shkojnë si pengu me pengmarrësin, unë vij si njeri i lirë te ju," tha Berisha.
Berisha u ndal edhe te kriza e energjisë që mund të prekë Shqipërinë duke bërë përgjegjës kryeministrin Rama dhe ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
"Çfarë ka bërë zotëria me "ndrikull grykësinë?" Zotëria ka zbrazur kaskadën, ka shitur gjatë gushtit energji masivisht dhe tani kaskada është në vdekje klinike. Kjo është arsyeja e krizës," tha ish-lideri.
Nga "Foltorja e Gjirokastrës" Sali Berisha i bëri thirrje demokratëve të nisin punën për mbledhjen e firmave për thirrjen e Kuvendit Kombëtare.
"Pa 30 vitesh ky peng na thotë se s'keni punë me votën sepse them unë dhe PD-ja sipas tij nuk ka forume, nuk ka anëtarësi, nuk ka statut, nuk ka votë. Faktikisht ky mendon apo urdhërohet të ekzekutojë pluralizmin, por kjo kurrë nuk do të ndodhë," shtoi Berisha.
Ish-kryetari i PD-së theksoi se misioni i lëvizjes së tij është mbrojtja e pluralizmit dhe ringritja e Partisë Demokratike.
