Leli për djegien e mbetjeve: Landfilli i Sheristës zgjidh përfundimisht çështjen e trajtimit të mbetjeve

Nga fusha e mbetjeve në Vlorë e mbuluar nga zjarri e tymi, kreu i bashkisë së Vlorës Dritan Leli tha se po punohet me intensitet për të vënë në kontroll situatën.

Ai tha se të gjitha informacionet janë për zjarrvënie të qëllimshme por shtoi se i takon policisë të gjejë dhe ndalojë autorët përgjegjës.

Leli: Prej 20 vitesh këtu digjeshin plehrat dhe nuk kujtohej askush ndërsa sot e konsideroj një incident, policia është duke gjetur shkaktarët. Thuhet se është zjarrvënie e qëllimshme por le ta gjejnë organet e policisë së shtetit.Jemi këtu për tu përballur me këtë situata që jam i bindur që do ta fitojmë. Forcat zjarrfikëse dhe të gjitha ndërmarrjet e bashkisë Vlorë janë duke punuar së bashku për tu përballur me këtë situatë të pazakontë.

Përkundër pengesave, Leli tha se zgjidhja përfundimtare për menaxhimin e mbetjeve në Vlorë është landfilli i Sheristës.

Leli: Landfilli i Sheristës do të zgjidhë përfundimisht çështjen kaq të nxehtë të trajtimit të mbetjeve në Vlorë dhe jo vetëm. Është duke u ndërtuar.Vlora ka zgjidhje komplet të ndryshme që është garanci e bashkëpunimit mes qeverisë shqiptare dhe asaj gjermane që do të jetë një histori suksesi në menaxhimin e integruar të mbetjeve në bashkiën e Vlorës dhe Selenicës. Pavarësisht pengesave që duken në horizont ekziston fryma pozitive për të bërë më të mirën.