"Zgjedhjet, Becchetti dhe inceneratorët", tre komisionet hetimore të PD diskutohen në Kuvend me 14 tetor
Ngritja e tre komisioneve hetimore parlamentare të kërkuara nga Partia Demokratike do të kalojnë për diskutim dhe miratim në seancën plenare të 14 tetorit.
Vendimi sot u mor në Konferencën e Kryetarëve.
Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, u shpreh në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve se "Kuvendi, në rastet kur kërkohet ngritja e komisionit hetimor nga një e katërta e deputetëve, ka detyrimin që të mos e diskutojë ngritjen e komisionit, por ia nënshtron diskutimit parlamentar shkallën e respektimit të parimeve kushtetuese në objektin e veprimtarisë së tij".
Duke folur jashtë për median, Balla tha se do të diskutohen vetëm parimet.
Balla: Kuvendi, në rastet kur kërkohet ngritja e komisionit hetimor nga një e katërta e deputetëve, ka detyrimin që të mos e diskutojë ngritjen e komisionit, por ia nënshtron diskutimit parlamentar shkallën e respektimit të parimeve kushtetuese në objektin e veprimtarisë së tij. Ky debat realizohet me qëllim gjetjen e një konsensusi ndërmjet palëve lidhur me objektin e hetimit, deri në arritjen e një vendimmarrje.
Komisionet hetimore parlamentare janë një instrument në duart e Kuvendit, pra edhe të opozitës, për të hetuar çështje me interes publik. Por puna e tyre rregullohet nga një ligj i posaçëm, por i vendosur në një kornizë nga një vendim i Gjykatës Kushtetuese, që thotë se objekti i hetimit duhet diskutuar. Ne do të fillojmë një proces diskutimi me opozitën për objektin e punës së këtyre komisioneve për të synuar të arrijmë në konsensus për atë që është propozuar. Edhe numri i anëtarëve të komisioneve nuk ka pse të jetë kaq i madh.
Balla tha gjithashtu se deputeti i LSI Petrit Vasili ka kërkuar që të jetë te komisioni hetimor për zgjedhjet e 25 prillit
Balla: Unë mendoj që edhe deputetët që nuk janë në grupet parlamentare të jenë aty.
Ky debat, sipas tij, realizohet me qëllim gjetjen e një konsensusi ndërmjet palëve lidhur me objektin e hetimit, deri në arritjen e një vendimmarrje.
Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Alfred Rushaj, tha se u bënë të qartë kolegëve socialistë se e drejta e opozitës për ngritjen e komisioneve hetimore dhe caktimin e objektit të hetimit është e patjetërsueshme.
Rushaj: U diskutua dhe ra dakord që të tre komisonet hetimore që opozita ka paraqitur në kuvend të kalojnë në seancën e datës 14 tetor për diskutim dhe miratim. Ne paraqitëm kërkesën tonë në përputhje me ligjin, Kushtetutën dhe padyshim i bëmë të qartë deputetëve të PS se e drejta e opozitës për të ngritur komisione hetimore, për të caktuar objektin e hetimit është e patjetërsueshme. Nuk kishte diskutime në lidhje me kufizimin e objektit të komisioneve. U ra dakord që në seancën e satës 14 tetor këto komisione të kalojnë në seancë plenare.
Partia Demokratike depozitoi me 30 shtator në Kuvend kërkesën për ngritjen një komisioni hetimor për zgjedhjet e 25 prillit.
Kërkesa u dorëzua në Kuvend nga nënkryetari i PD, Enkelejd Alibeaj, ku tha se në këtë komision do të hetohen të gjitha abuzimet që qeveria bëri me fondet publike për të blerë votën e shqiptarëve.
Sipas Alibeaj ky hetim nuk do të vijë vetëm si aksion politik, por si nevojë ulëritëse që kërkon demokracia dhe shqiptarët.
Një ditë më pas, Partia Demokratike dorëzoi kërkesat përmes Grida Dumës dhe Jorida Tabakut për ngritjen e dy komisioneve të tjera për çështjen Becchetti dhe inceneratorët.
