Vrau bashkëfshatarin me makinë, Prokuroria kërkon 18 vite burg për Mhill Gegën

18 vite burg ka kërkuar prokuroria e Lezhës për 60-vjeçarin Mhill Gega që në shkurt të këtij viti vrau me makinë bashkëfshatarin e tij Mark Gjeta në një fshat të Mirditës. Sipas dëshmive, dy burrat kishin qenë miq, por ishin konfliktuar për shkak të ngacmimeve dhe talljeve.

Prokuroria e Lezhës ka kërkuar dënimin me 18 vite burg të Mhill Gegës,  60-vjeçarit që në muajin shkurt të këtij viti përplasi me dashje me makinë bashkëfshatarin e tij Mark Gjeta në fshatin Bungaj të Mirditës.

Në konkluzionet përfundimtare të prokurorit Françesk Ganaj dhe referuar dosjes hetimore është arritur të provohet se ngjarja ka qenë e qëllimshme, dhe ndaj autorit u ngritur akuza e vrasjes me dashje.

Nga hetimet ka rezultuar se dy bashkëfshataret kishin patur konflikte prej dy vitesh me njëri-tjetrin dhe diten e ngjarjes janë përplasur sërish.

Pas debateve, 60-vjeçari Mhill Gega ka shkuar në shtëpi dhe ka marrë automjetin tip "Benz" dhe përplasur për vdekje Mark Gjetën, i cili lëvizte në rrugën e fshatit.

Në deklarimet e tij vetë i pandehuri ka pranuar faktin se ka patur konflikte me viktimën, por ka mohuar akuzën e ngritur ndaj tij duke e konsideruar ngjarjen aksidentale, me pretendimin se i kishte rrëshqitur makina dhe ka goditur 68-vjeçarin Mark Gjeta.

Por pretendimet e tij nuk janë marrë në konsideratë nga organi i akuzës, ndërsa tashmë do të jetë gjykata që do të japë vendimin për këtë çështje.

Vrasja me makinë ndodhi pasditën e 17-shkurtit të vitit 2021 në fshatin Bungaj të Bashkisë Mirditë.

Fillimisht dyshua për aksident, por pas veprimeve hetimore në vendin e ngjarjes dhe dëshmive të marra rezultoj se ngjarja ishte e qëllimshme.

Goditja e fortë i shkaktoi vdekjen e mënjëhershme 68-vjeçarit Mark Gjeta, ndërsa policia e gjeti në banesë dhe prangosi autorin.

Mark Gjeta dhe Mhill Gega kishin punuar për disa kohë në të njëjtën ndërmarrje dhe kishin qenë shokë me njëri-tjetrin, por marrëdhiet e tyre nisen të acarohen për motive terësisht banale, pasi viktima e tallte dhe ofendonte autorin.