Prindërit e klasës së tretë në shkollën "Lef Sallata" protestë kundër mësimit pasdite

Prindër të fëmijëve të shkollës 9-vjeçare "Lef Sallata" protestuan sot para shkollës kundër zhvillimit të mësimit pasdite.

Protestuesit ishin prindër të një klase të tretë, e vetmja klasë nga fillorja që është lënë për mësim pasdite.

Ata thonë se e kanë të pamundur të sjellin fëmijët në shkollë në këtë orar pasi janë në punë. Situata më e vështirë bëhet për ata prindër që kanë dy fëmijë në këtë shkollë.

"Një fëmijë e kam në klasë të dytë dhe mbaron në 11:30, fëmijën tjetër e kam në klasë të pestë dhe mbaron në orën 18:00. Jam në punë me bashkëshortin. Shkolla nuk ka ambjente për këtë numër fëmijësh. Nuk mundet një fëmijë të mbarojë mësimin në orën 18:00.Është e papranueshme."

"Është e vetmja klasë e tretë që kalon pasdite. Ne që kemi dy fëmijë është ekstrem. Nisja është në shtet. Unë privat, i bie që njëri të rrijë pa punë. I bie që njëri të rrijë pa punë."

Vetë mësuesja e klasës së tretë vuri në dijeni drejtoreshën e shkollës për shqetësimin e prindërve. Kjo e fundit u kërkoi ti drejtohen me një shkresë zyrtare.

"Nuk pret prindër në këtë orë.Duhet të bëjmë një letër zyrtare, mësimi do vazhdojë me turne. I bie të bëjmë mësim natën, jemi bërë si shkollë nate. Do ti drejtohemi bashkisë. Fëmijët do të ndjekin mësimin pasdite derisa të rregullohet situata. Nuk ka ambjente aktualisht por mund të sigurohen nëse ekziston dëshira e mirë".

Në shkollë janë edhe 5 klasa të ciklit 9-vjeçar që bëjnë mësim pasdite.