Rritja e çmimeve, Danaj: Përflitet për marrëveshje mes punëtorëve të miellit dhe të grurit, vepër penale

Në Shqipëri javët e fundit është rritur çmimi i bukës, por edhe i produkteve të tjera të shportës. Përveç kësaj, ditën e sotme Kryeministri Rama, ka paralajmëruar rritjen e çmimit të energjisë elektrike.

Eksperti i ekonomisë Violdi Danaj, në një intervistë për RTV Ora me gazetaren Besmira Pelushaj, shprehet se rritja e çmimeve në vendin tonë është ndjerë më shumë se në krahasim me vendet e tjera, për shkak të disa mungesave.

Violdi Danaj: Jemi në një situatë ku në të gjithë botën kemi pasur një shtrenjtim të lëndëve të para e sidomos të transportit. Ne jemi treg që varemi nga importet dhe ndikohemi drejtpërdrejt  nga luhatjet që ndodhin në tregjet e huaja. Patëm një mbyllje totale, dhe patëm ulje të kërkesës. Me hapjen e shteteve u rrit kërkesa për produktet bazë. Te ne kjo rritje çmimesh  amplifikohet më shumë se vendet e tjera si pasojë e disa mungesave dhe papërgatitjeve.

Më tej shton se në vendin tonë TVSH është e lartë dhe rritja e çmimeve të produkteve ndrikon në masën e pupullsisë.

Violdi Danaj: Çmimin e bukës e kemi ndjerë më shumë se vendet e tjera sepse ne kemi TVSH më të lartë të produkteve të shportës, por nuk kemi institucione që të monitorojnë në mënyrë të vazhdueshme stokun dhe të vendosin një çmim tavan. Janë produkte që ndikojnë në masën e popullsisë.

Danaj, thotë se përflitet për një marrëveshje mes punëtorëve të miellit dhe të grurit, për të ruajtur një çmim standard, dhe sipas tij nëse kjo ka ndodhur është vepër penale

Violdi Danaj: Qeveria ndërhyn kur i intereson. Është përfolur për një marrëveshje ndërmjet punëtorëve të miellit dhe të grurit. Kanë bërë një marrëveshje të heshtur për të ruajtur çmimin standard. Pra të gjithë furrat të mbajnë të njëjtin çmim. Nëse kjo ka ndodhur është një vepër penale, sepse është dëm ekonomik. Institucionet ose nuk kanë paaftësinë ta verifikojnë ose dyshimet janë të forta se mund të kemi në mes korruptim. Ajo që na bën të mendojmë se ekziston kjo marrëveshje është çmimi që u rrit në mënyrë të menjëhershme. Nuk u paralajmëruar. / Ora News/