“Shqiptarët 8 vite në krizë”/ Basha propozon zgjidhjet për rritjen e çmimeve: Të ulet TVSH -ja, të hiqet taksa “Rama”
Rritja e çmimit të karburanteve në vend solli dhe përplasjen mes kryedemokratit Lulzim Basha dhe kryeministrit Edi Rama. Duke iu përgjigjur kreut të Qeverisë i cili deklaroi se një krizë energjitike sapo ka filluar me rritjen e çmimeve të karburanteve, Basha Basha tha se shqiptarët kanë 8 vite që po përballen me çmimet më të larta në rajon. Ai akuzoi Edi Ramën se doli për të larë duart para shqiptarëve.
Partia Demokratike bën përgjegjëse qeverinë për rritjen e çmimeve të produkteve ushqimore dhe karburanteve, duke thënë se qytetarët nuk përballojnë dot as nevojat bazë.
Lulzim Basha në një reagim për mediet pas deklaratës së kryeministrit Rama tregoi rrugën për daljen nga kjo krizë.
"Vërtet bota po përballet tani, por shqiptarët kanë 8 vite që përballen me çmimet më të larta në rajon e ndër më të lartat në Europë, të energjisë dhe karburantëve."
Kryetari i Partisë Demokratike u shpreh se shqiptarët kanë 8 vite që ndodhen në vështirësi për shkak të rritjes së çmimeve.
“Heqja e taksës Rama prej 240 lekë për litër karburanti. Ulja e TVSH-së nga 20% në 6% për ushqimet, ashtu siç kemi kërkuar prej javës së parë në kuvendin e Shqipërisë;. Faturimi me çmime dhe sasinë reale të konsumit të oligarkëve të cilët favorizohen në kurriz të konsumatorëve. Subvencionim i çmimit të energjisë për qytetarët. Mirëmenanxhim dhe ndalje e shpenzimeve të shfrenuara, luksoze të OSHEE dhe KESH, që janë kthyer në zhvatës të parave të shqiptarëve.
Ristrukturim të buxhetit për tu përballur me një krizë që nuk mund të ndalet me propagandë dhe fjalime. Më shumë para për shtresat në nevojë dhe ristrukturim të ekonomisë aktuale, e cila për shkak të politikave të kësaj qeverie është e varur nga paraja e pisët dhe monopolet e oligarkëve."- shton Basha.
Më herët planin e daljes nga kriza e prezantoi në rrjetet sociale edhe deputeti i Partisë Demokratike Ervin Salianji.
Ai shpjegoi efektin që do të ketë në mallrat e shportës reduktimi i taksës së vlerës së shtuar nga 20 për qind në 6 për qind
Sipas tij nëse kjo skemë do të pranohet çmimi mesatar i vajit nga 2300 lekë shkon në 2000 lekë, sheqeri dhe buka nga 800 lekë bëhen 700, qumështi dhe kosi nga 120 lekë bëhen 105 lekë
