Pastrimi arave rrezikon fshatrat/ Tre raste të zjarreve të qëllimshme që kërcënuan zonat e banuara
Pastrimi i tokave dhe djegia e mbeturinave nga fermerët mbetet shkaku kryesor i zjarreve në Vjeshtë! Tre raste të ngjashme u shënuan këtë të diel, në Vlore, Berat e Fier.

Një zjarr i nisur nga djegia e mbeturinave në ara mori përmasa kërcënuese në fshatin Duhanas të Beratit.
Të ndihmuara nga era, flakët dolën jashtë kontrollit dhe u përhapën me shpejtësi në një sipërfaqe të gjerë duke kërcënuar edhe nënstacionin elektrik.
Kur situata u bë e pamenaxhueshme, fermerët njoftuan forcat zjarrfikesë që angazhuan tre grupe per të vënë flakët nën kontroll.
Skenar i ngjashëm edhe në Sevaster të Vlorës.
Një zjarr i qëllimshëm u përhap me shpejtësi duke përfshirë një sipërfaqe të madhe ndërsa kërcënoi edhe zonën e banuar.
Për të vënë flakët nën kontroll u kërkua ndërhyrja e zjarrfikësve.
Më herët të dielën, një zjarr përfshiu kodrat e Radostinës në Fier.
Flakët u përhapën me shpejtësi duke djegur e dëmtuar ullishte në zonë.
Zjarrvëniet e qëllimshme dhe ato aksidentale gjatë vjeshtës janë bërë shkak për djegien e qindra hektarëve pyje e toka të mbjella.

