Alban Bushi: Luajmë për 3 pikë me Andorrën, jemi ende brenda objektivave

Trajneri i Shpresave, Alban Bushi foli sot në konferencën për shtyp në prag të dy ndeshjeve eliminatore të Tetorit ku kuqezinjtë do të përballen me Andorran dhe Sloveninë.

Fillimisht, Bushi komentoi listën e shpallur të lojtarëve ku pranoi se ka alternative të nevojshme e gjithashtu shpjegoi edhe mungesën e Marco Alias, portierit 21-vjeçar.

“Unë gjithmonë do të marr ata lojtarë që janë më në formë. Nuk mund të marrim një lojtar që mund të luajë në kampionatin shqiptar që është i dobët me një tjetër që është jashtë që mund të luajë më mirë. Por gjithsesi, kampionati shqiptar, ngaqë jemi më afër dhe e shohim pothuajse çdo javë dhe jemi më të fokusuar këtu. Por gjithsesi, fokusi ynë me skautët tanë është edhe jashtë, kështu që kemi menduar të bëjmë një miks, siç kemi bërë gjithmonë, për të nxjerrë më të mirën për këto dy ndeshje. Mungesa e Alias? Ne gabuam të gjithë, nuk gaboi vetëm Marco Alia. Gabimet janë pjesë e lojës, po nuk gabove, i bie që mos të fitojë asnjëri. Alia ka pasur arsye personale, më ka telefonuar dhe nuk ndihet mirë për momentin. Do të fokusohet tek ekipi i tij dhe për këtë arsye nuk është pjesë e ekipit këtë radhë. E kam thënë gjithmonë që, gabimet janë shumë të këqija kur janë gabime në mendim dhe jo kur janë gabime teknike. Ai ishte një gabim teknik dhe nuk quhet”.


Bushi foli edhe për humbjen me Çekinë dhe për objektivat e Shpresave në këto dy ndeshje të radhës.

“Ne duam të marrim 3 pikë në ndeshjen me Andorrën, që është shumë e rëndësishme për ne. Ne vijmë nga një humbje jo e mirë dhe në përgjithësi gjithmonë humbjet janë të hidhura, siç ishte humbja me Çekinë. Nga kjo humbje kemi nxjerrë shumë mësime dhe humbjet nga një anë kanë edhe gjëra pozitive se ti mëson se ku ke gabuar për t’u përmirësuar për të ardhmen. Këto dy ndeshje janë shumë të rëndësishme për ne, sidomos ndeshja ndaj Andorrës. Grupin nuk e kemi të plotë, që nga fillimi i eliminatoreve deri tani, grupi ka qenë me shumë mungesa dhe me shumë vajtje në ekipin e parë. Por gjithsesi, jemi munduar që edhe me ato moshat e vogla që kemi marrë të bëjmë më të mirën. Janë 25 lojtarë, edhe alternativat bëhen më shumë. Nuk është se kemi grupin më të mirë, e thashë dhe më sipër, kemi mungesa. Kishim menduar ndryshe përpara eliminatoreve, por këto janë gjëra që ndodhin në futboll, prandaj jemi edhe ekip Kombëtar dhe kemi skautët tanë në të gjithë Europën, që të na sjellin sa më shumë lojtarë dhe të kemi sa më shumë alternativa. Është një grup i ri. Me ekipin Shpresa kemi në çdo ndeshje lojtarë të rinj dhe është pak e vështirë të adaptohen me ekipin, pasi janë shumë pak stërvitje”, tha Bushi në konferencën për shtyp.

Ndërkohë dhe lista e plotë e shpallur nga trajneri Bushi eshtë si me poshtë. /Ora News/.

Alban Bushi: Luajmë për 3 pikë me Andorrën, jemi ende brenda