Derbi Dinamo-Partizani nuk zhgënjen, barazim, spektakël dhe gola

Futbolli elitar shqiptar e meriton një derbi të tillë që të luhet gjithmonë në Superiore. Pas 12 vitesh, falë rikthimit të “nëndetëses” mes më të mirëve, u rikthye derbi Dinamo-Partizani mes emocioneve, episodeve dhe golave në “Elbasan Arena”, sfidë që u mbyll në një barazim 1-1.

Ndeshja nisi vrullshëm dhe ishte Dinamo që kërkoi më shumë golin dhe në fakt e gjeti që në minutën e 15’ me Agim Ibraimin ku shfrytëzoi një gabim të mbrojtjes së të kuqve dhe i vetëm përballë Hoxhës nuk gaboi.

Partizani nis të reagojë dhe herë me Junior e herë me Belicën i afrohen golit por Harizaj tregon vlerat në disa ndërhyrje të mira.

Gjithsesi, ndoshta episodi që vendos ndeshjen ndodh në shtesën e pjesës së parë ku me VAR, gjyqtari Cjapi nxjerr me të kuq Sofranac të Dinamos për ndërhyrje të rëndë ndaj Junior.

Me 1 lojtar më pak, Dinamo në pjesën e dytë tërhiqet duke i lënë lojën Partizanit rastet për të kuqtë janë të panumërta dhe vetëm në 76’, me anë të një penalltie të fituar nga Cara, skuadra e Dajës gjen barazimin me Stenio Junior.

Skuadrat bëjnë zëvendësime të tjera dhe mes shumë emocioneve dhe rasteve, ndeshja përfundon pa gola te tjere.

4561 ditë pas derbit të fundit, Dinamo dhe Partizani dhuruan spektakël dhe sfida u mbyll 1-1./Ora News/.