Orges Shehi ankohet për orarin e ndeshjeve: Ndaj Laçit duhet të japim 100%

E diela në Superiore sjell dy sfida të rëndësishme ku njëra prej tyre është dueli Tirana-Laçi. Trajneri Shehi në konferencën për shtyp e pranoi se do të jetë një duel i vështirë për bardheblutë, teksa shtoi se skuadra e tij është e plotë.

“Kemi një ndeshje të rëndësishme edhe për shkak të cilësisë së Laçit. Është kundërshtar që ndoshta meriton më shumë pikë, është ekip i fortë dhe këtë e ka treguar sidomos vitet e fundit, ndaj kërkon vlerësim maksimal. Tirana është e plotë, përveç Beshirajt, që ka pësuar dëmtim të gjithë futbollistët e tjerë janë të gatshëm. Skuadra ka akoma vend për përmirësim. Do të donim të kishim më shumë pikë për atë që kemi dhënë në fushë. Futbolli ka vështirësi, do të mundohemi të përmirësohemi javë pas jave. Nesër duhet të jemi 100% sa i përket mënyrës së lojës dhe karikimit të skuadrës”.

Lidhur me garën e fortë që po bëhet në Superiore, trajneri i bardhebluve tha se është rritur cilësia por u ankua për vendin e ndeshjes dhe për orarin që është zgjedhur për këtë duel.

“Kampionati shqiptar është i fortë, këtë e tregojnë edhe lojtarët e kombëtares, kur vijnë këtu. Nuk është se ka një skuadër që bën diferencën. Por të luash në dy pa një çerek dhe në fusha jo të mira nuk është dhe aq mirë për ne. Tirana niset shumë herë favorite, por penalizohet dhe nuk arrin ta bëjë diferencën për shkak të këtyre faktorëve. Pse kur luhet në “Elbasan Arena” ndeshjet dalin shumë të mira”, deklaroi Orges Shehi./Ora News/.