Të shtyhen gjobat e fiskalizimit, biznesi i vogël: Vështirësi në aplikim për shkak të kostos e sistemit

Biznesi i vogël kërkon nga qeveria që të shqyrtojë mundësinë e shtyrjes së afatit të aplikimit të gjobave të fiskalizimit përtej 1 janarit 2022.

Shqetësimi është ngritur kryesisht nga sipërmarrjet e vogla në një takim informues për procesin e fiskalizimit të Dhomës Ekonomike të Gruas dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.

Një nga problematikat e ngritura nga bizneset janë kostot e larta për implementimin e reformës së fiskalizimit e cila synon të zvogëlojë evazionin fiskal dhe rrisë transparencën për të gjitha palët.

Një shqetësim tjetër për bizneset është mosfunksionimi i fiskalizmit të operacioneve të kompanive me softwarin dhe tatimet dhe procedura e faturës fiskale në zona pa mbulim me internet.

Gjatë takimit u evidentua fakti se bizneset e vogla janë ende larg procesit të fiskalizimit, faza e parë e të cilit ka nisur në janar të këtij viti.

Sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve që prej datës 1 janar deri më 21 shtator janë regjistruar 32.628 biznese të fiskalizuara dhe mbi 38 milionë fatura.

Ndërkohë, ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj e pyetur një ditë më parë nëse ka pasur abuzime nga biznesi në lidhje me vendimin e qeverisë për të mos pasur gjoba deri më 1 janar 2022 tha se një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Sipas ministres e cila më parë ka mbajtur postin e drejtoreshës së Tatimeve, të ardhurat nuk reflektojnë tendencë të moslëshimit të faturave, madje ato kanë qenë në rritje si në biznesin e vogël edhe në atë të madh./OraNews/