TVSH 6% për shportën? Ahmetaj i përgjigjet PD dhe paralajmëron: Do të rishikojmë buxhetin
Ekonomia ka shënuar një rritje të ndjeshme në tremujorin e dytë të këtij viti. INSTAT raportoi se zgjerimi i prodhimit të brendshëm bruto (PBB) për periudhën prill-qershor ishte 17.9% me bazë vjetore krahasuar me të njëjtin për 2020 dhe kjo sipas qeverisë shqiptare është një tregues i qartë i trendit të 'shërimit' të ekonomisë.
Nisur nga rritja e të ardhurave por edhe fakti se jemi ende në pandemi, zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj paralajmëroi rishikim të buxhetit 2021 deri në fund të vitit.
"Në dinamikë ne jemi akoma në pandemi dhe sigurisht që programi i rindërtimit është gjithashtu dinamik. Ne mund të na duhet që ta rivizitojmë, ta rishikojmë buxhetin e këtij viti edhe për një arsye shumë pozitive sepse të ardhurat kanë përformuar përtej parashikimit. Gjithë ajo rritje ekonomike sigurisht që është përkthyer në rritje të ardhurash".
Duke komentuar propozimin e Partisë Demokratike për uljen e TVSH-së në 6% për mallrat e shportës, Ahmetaj tha se do të japë një përgjigje zyrtare atëherë kur të ketë një kërkesë zyrtare prej tyre.
"Sa i përket propozimit të opozitës, nuk është paraqitur një dokument zyrtar që të komentoj zyrtarisht. Kur të paraqitet do ti merrni komentet tona zyrtare".
Deklaratat Ahmetaj i bëri gjatë konferencës së përbashkët me ministren e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, për raportin e INSTAT.
