KLSH zbulon shkelje me rindërtimin e shkollave dhe dhe kopshteve në Tiranë:51 milionë lekë dëmi
Rindërtimi i kopshteve dhe shkollave në Tiranë është realizuar në konflikt interesi dhe në shkelje të ligjit. KLSH ka zbuluar se mes ndërtuesit dhe mbikqyrësit ka lidhje, çka sjell pasiguri në monitorimin e punimeve. Gjithashtu dhe llogaritja e kostove sipas raportit është bërë gabim dhe me dëm ekonomik.
Rindërtimi i shkollave në Tiranë është bërë në konflikt interesi dhe me abuzime.
Në raportin e KLSH-së në gjashtëmujorin e këtij viti konstatohet se analiza e kostove të ndërtimit në shkolla dhe kopshte është e pasaktë dhe me një dëm 51 milionë lekë.
"Konstatohet konflikt interesi ndërmjet koncesionarit, mbikëqyrësit dhe kolaudatorit në shkelje të plotë të ligjit “Për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit” i ndryshuar. Pra mbikëqyrësi dhe kolaudatorit i punimeve është I konfliktuar në interesa për të realizuar punën e tij për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve, pasi investitori në këtë rast është shoqëria Koncesionare dhe jo Bashkia Tiranë".
Më tej në raport thuhet se Bashkia Tiranë për periudhën e realizimit të kontratës, nuk garantohet për zbatimin e cilësisë së punimeve, në përputhje me lejen e ndërtimit, projektin e zbatimit, kushtet teknike të projektimit, kushtet teknike të zbatimit, etj.
"Vlera që do të paguhet koncesionarit për mbikëqyrjen dhe kolaudimin e veprave, përbën përdorim pa efektivitet dhe eficiencë të fondeve publike, në kundërshtim me legjislacionin në fuqi".
Monitorimi në bashkinë e Tiranës rezulton të ketë nisur në nëntor të vitit 2020 dhe ka përfunduar 7 muaj më pas.


