Politika e "dyerve të hapura" ringjall turizmin, 2.1 milionë vizitorë vetëm gjatë gushtit

Sektori i turizmit është rikuperuar ndjeshëm këtë verë pas kufizimeve për shkak të COVID-19 të vitit të shkuar pasi vetëm gjatë gushtit numri i vizitorëve arriti 2.1 milionë.

Sipas raportit të INSTAT për lëvizjet e shtetasve gjatë muajit të kaluar kanë hyrë në territorin shqiptar 1.3 milion shtetas më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë, e cila regjistroi 846 mijë vizitorë.

Nga të dhënat rezulton në Shqipëri kanë hyrë gjatë gushtit 1.5 milion shtetas të huaj, ndërsa gjatë 8 muajve 4.3 milionë shtetas duke u rritur me 2.5 herë në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2020.

INSTAT bën të ditur se rritjen më të madhe të shtetasve që kanë hyrë në Shqipëri në tetëmujorin e këtij viti e kanë pasur Shtetet e Bashkuara, të ndjekura nga Polonia, ndërsa uljen më të ndjeshme të hyrjeve e ka pasur Greqia.

Ndërkohë, nga të dhënat shihet se gjatë periudhës janar-gusht shqiptarët e Kosovës përbëjnë 50% të gjithë fluksit turistik.

Sa i përket daljeve të shtetasve shqiptarë vihet re një rritje e tendencës për pushimet jashtë vendit pasi gjatë muajit të kaluar kanë dalë nga territori shqiptar 677 842 shtetas, 2.2 herë më shumë se një vit më parë, por ende poshtë nivelit të 2019-ës.

Ndërsa numri i shtetasve shqiptarë të dalë nga territori i Shqipërisë gjatë 8 mujorit të 2021 është 2.8 milionë, gati 30% më pak se në vitin 2019.

Sipas raportit të Institutit të Statistikave, është regjistruar një rritje e hyrjeve të shtetasve të huaj për qëllime personale, pushime apo udhëtime tranzit, ndërsa ulje kanë pësuar hyrjet për qëllime biznesi.