Sejko takon misionin e BB: Sistemi bankar shqiptar është i mirëkapitalizuar

Sistemi bankar shqiptar është i mirëkapitalizuar dhe me likuiditet, me bilanc të përmirësuar, ndërsa norma e kredive me probleme ka vijuar rënien.

Kështu është shprehur Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, gjatë takimit përmbyllës me misionin e Bankës Botërore për sektorin financiar.

Kreu i Bankës Qendrore ka informuar misionin e Bankës Botërore për zhvillimet në sistemin financiar, ndikimin e pandemisë në ecurinë ekonomike dhe pritjet për rimëkëmbjen ekonomike gjatë periudhës së ardhshme.

Në takim është diskutuar dhe në lidhje me strategjinë kombëtare për pagesat me vlerë të vogël dhe hartimin e një strategjie për edukimin financiar.

Guvernatori Sejko njoftoi misionin e Bankës Botërore për masat e marra për krijimin e llogarisë bazike që do të nxisë përfshirjen financiare të popullsisë.

Përfaqësuesit e misionit të BB-së vlerësuan politikat e Bankës së Shqipërisë për ruajtjen e stabilitetit financiar të vendit dhe shëndetit të bankave, pavarësisht vështirësive me të cilat u përball vendi gjatë periudhës së pandemisë.