Tjetër padi Bashkisë Tiranë për parkun e liqenit të Farkës, dy kompani me çmim të ulët u skualifikuan nga gara
Tenderi për investimin në Parkun e Liqenit të Farkës merr përmasa skandaloze. Një tjetër kompani ka ankimuar në KPP skualifikimin nga gara. Madje dhe argumenti është i çuditshmëm pasi subjekti u skualifikua pasi paraqiti çmim shumë të ulët, edhe pse e ka argumentuar sipas zërave ofertën e dhënë.
Tenderi i polit rekreativ në Parkun e Liqenit të Farkës ka përfunduar sërish në KPP.
Kompania “Nika”në dokumentet e paraqitura pretendon se është skualifikuar padrejtësisht.
Në material thuhet se subjekti ka kërkuar rreth 16 milionë lekë për të realizuar punimet, por Komisioni i Vlerësimit të Ofertave e ka cilësuar ofertë anomalisht të ulët.
Më tej bëhet e ditur se pjesëmarrësi në garë ka dorëzuar dhe një analizë të plotë me çmimet sipas zërave, por sërish institucioni në varësi të Bashkisë së Tiranës ka vendosur skualifikimin. I njëjti veprim është bërë dhe me subjektin "2N" që kishte ofruar rreth 18 milionë lekë.
Pretendimet e kompanive ngrihen dhe mbi bazën e ofertës 19.7 milionë lekë që ka dhënë fituesi i tenderit "Leon Constraction".
Tashmë kompanitë e kanë quajtur skualifikimin e tyre si të padrejtë dhe janë pritje të vendimit përfundimtar të KPP.
Në fakt në garë kanë marrë pjesë 9 kompani, ku katër janë lënë jashtë gare pasi kishin dhënë një çmim të konsideruar anomalisht të ulët për realizimin e punimeve.
