Landfilli rrëmben 10 mln euro, bashkia e Durrësit i jep kontratën pa garë inceneratorit të Tiranës

10 milionë euro do të paguajë bashkia e Durrësit për landfillin e Tiranës për katër vite. Sipas prokurimit të zhvilluar me negociim në këtë periudhë do të depozitohen 320 mijë tonë mbetje. Kontrata është konsideruar e dyshimtë, duke u shënuar me flamur të kuq nga Open Data.

Nga tenderi 10 milionë euro për menaxhimin e mbetjeve në Durrës nuk pati asgjë të re.

I shpallur me negociim nga Bashkia e qytetit bregdetar, kontratën e ka fituar “INTEGRATED ENERGY BV SPV” që menaxhon dhe landfillin e Sharrës në Tiranë.

Tashmë mbetjet e këtij qyteti do të depozitohen në këtë incinerator.

Sipas të vetmit dokument zyrtar të paraqitur në Prokurimet Publike, kontrata do të jetë e vlefshme për katër vite dhe sasia që do të depozitohet kundrejt 10 milionë eurove do të jetë 320.000 ton.

Gjatë muajit gusht qeveria miratoi me një vendim të posaçëm një fond prej 32 milionë eurosh për bashkinë e Durrësit.

Qëllimi sipas vendimit ishte dërgimi në landfill i mbetjeve për 10 vite.

Shkak për këtë u bë situata dramatike në qytetin bregdetar ku mbetjet mbetën pa u mbledhur me javë të tëra, ndërsa Bashkia deklaroi se nuk kishte fonde për ti depozituar.

Shkak për katastrofën ekologjike u bë mbyllja e landfillit të Porto Romanos me argumentin se kishte ndotje të ambientit.