Përfundon marrëveshja, naftëtarët e Ballshit kthehen në pikën zero: Edi Rama të mbajë premtimin
Naftëtarët e Rafinerisë së naftës në Ballsh kanë marrë edhe pagën e fundit, një vit pas marrëveshjes mes tyre dhe qeverisë për të ndërprerë grevën e urisë.
Në të parashikohej që naftëtarët të merrnin një pagë prej 40 mijë lekësh plus sigurimet shoqërore, por ata nuk e dinë se çfarë do të ndodhë pas 31 tetorit, kur mbaron edhe afati i marrëveshjes në të cilën u angazhua vetë kryeministri Edi Rama.
"Sot janë këtu hallexhinjtë, naftëtarët, punëtorët që kanë një jetë të tërë që janë shkolluar, kanë investuar në këtë rafineri mundin dhe djersën e tyre dhe sot janë në rrugë të madhe. Janë pa bukë e pa zgjidhje."
"U plakëm këtu, tani si ka mundësi pa asnjë zgjidhje? Jemi pa bukë."
Teksa rafineria ndodhet nën sekuestro, naftëtarët e Ballshit deklarojnë se në mënyrë të çuditshme dhe antiligjore, kompani të ndryshme po marrin produkte nga uzina.
"Këtu po vijnë rrotull disa njerëz tinëzarë të cilët në mënyrë të fshehur marrin produktet brenda. Sa vijmë ne këtu ata largohen në drejtim të paditur."
Teksa shpresojnë për një marrëveshje naftëtarët kërkojnë që të hapet uzina.
"Ne presim rivënien në punë të rafinerisë, ne presim sot vendimin e kryeministrit dhe premtimin që ka bërë ai në fushatën elektorale. Ne nuk tërhiqemi nga qëndresa jonë për të përfituar ato që na takojnë."
Një vit më parë kreu I qeverisë Edi Rama, tha se qeveria e tij do të bisedojë me kompani të tjera që duan që ta marrin rafinerinë e naftës, por deri më sot nuk është publikuar arritja e asnjë marrëveshjeje./OraNews/
