Zgjatja e Vetingut, Manja: Po negociojmë me PD. Nisma dhe harta e re gjyqësore javën tjetër në Kuvend
Ministria e Drejtësisë do të paraqesë brenda javës së ardhshme hartën e re gjyqësore në vend. Kreu i këtij dikasteri Ulsi Manja pas një aktiviteti të shkollës së magjistraturës, tha se qëllimi i hartës së re është ofrimi i shërbimeve gjyqësore atje ku janë Gjykatat.
"Besoj javës tjetër do të kemi dhe informacionin e duhur, ju si media për hartën e re gjyqësore. Qëllimi është të ofrojmë shërbime gjyqësore atje ku sot i kemi Gjykatat," tha Manja.
Ministri theksoi se mazhoranca do të propozojë së shpejti në kuvend edhe zgjatjen e mandatit të organeve të vettingut përmes ndryshimeve kushtetuese. Për këtë nismë, e cila kërkon edhe votat e opozitës, ministri tha se mazhoranca është në kontakt me SHBA dhe BE.
"Jemi në konsultim të ngushtë me partnerët tanë ndërkombëtarë që kanë asistuar reformën në drejtësi që ditën e parë SHBA dhe BE. Ju edhe sot e patë qëndrimin e ambasadorit Soreca, kështu që në ditët në vijim do të kemi dhe materializimin e nismës konkrete në Kuvend," tha Manja.
Edhe vetë ambasadori i bashkimit europian në Tiranë Luigi Soreca është shprehur se e mbështet zgjatjen e organeve të reja të vettingut, por siç tha, mazhorancës i lind detyrimi për ta materializuar nismën në kuvend duke qenë në koordinim me gjithë faktorët.
"Kjo do të kërkojë edhe një rritje me një mandat të caktuar të anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimeve dhe të Komisionerëve Publikë. Sigurisht që në lidhje me këtë çështje është në mandatin e Kuvendit dhe të qeverisë që t të përkufizojnë siç duhet këto afate të sakta kohore të kësaj zgjatjeje, në konsultim me të gjitha grupet e interesit," tha Soreca.
Ambasadori i BE gjatë diskutimit në tryezën e shkollës së magjistraturës vuri theksin edhe tek pavarësia dhe integriteti pasi shumica e të shkarkuarve nga vettingu nuk janë larguar për arsye profesionale, por për shkak të problemeve me pasurinë dhe lidhjeve me krimin.
