“U rritën çmimet, jo ekonomia”, qytetarët: Me të ardhurat që kemi e pamundur të blejmë ilaçet

"Në tremujorin e dytë të këtij viti rritja shënoi 18%."

Por kjo rritje ekonomike nuk është ndjerë te qytetarët, të cilët thonë se me vështirësi përballojnë jetesën.

Me pensionet që kanë, disa e kanë të pamundur të blejnë edhe ilaçet.

"Nuk e besoj sepse shikoj tregun se si është."

"Kemi ndjerë zbritje, në kuptimin që jemi varfëruar ne."

"Ilaçet më shkojnë 139 mijë lekë të vjetra. Pensionin e kam 129 mijë lekë."

Rritja e çmimeve për produktet bazë të shportës, ka rënduar xhepat e popullatës.

"Mielli ka shkuar në kupë të qiellit dhe buka është poshtë kiles."

"Me një pension 80 mijë lekë të vjetra çfarë do bësh?"

Në kohën kur autoriteti i konkurrencës fali gjobën ndaj kompanive më të mëdha të miellit, çmimi i produkteve të tij do të vijoj të jetë disa lekë më shumë.

Presidenti i shoqatës së prodhimit të bukës, pasticerive dhe brumrave, Gëzim Peshkëpia thotë se çmimi nuk mund të përcaktohet i njëjtë për të gjithë.

"Në fakt shoqata nuk merrem me çmimet, ajo është një veprimtari e vetë prodhuesve, por mundohemi që të ruajmë një ekuilibër midis prodhimit tonë, çmimeve të shitjes dhe kostos së rënduar," tha Peshkëpia.

Presidenti i dhomës kombëtare të zejtarisë, Luan Bregasi është kundër rritjes së çmimit të bukës por kjo sipas tij është e diktuar nga çmimi i miellit.

"Unë mendoj që qeveria shqiptare bashkë me shoqatën mund të ulen të diskutojnë që të krijojnë një ekuilibër të ri të çmimit," tha Bregasi.

Muajin e fundit buka po shitet me 5 deri në 20 lekë më shumë, por ky ndryshim duket se do të mbetet i njëjtë, pasi nga institucionet përkatëse nuk është marrë asnjë masë deri tani./OraNews/