Fadromat hyjnë natën "si ujqër" në Laknas, banorët mbrojnë pyllin, përplasen me ta e i përzënë

Banorët e Laknasit janë përplasur sërish me punëtorët e firmës që kërkon të ndërtojë thertore.

Burime bëjnë me dije se fadroma e firmës është futur në Laknas në orën 03:00 të mëngjesit të sotëm (1 tetor) dhe ka shkatërruar e prerë dhjetëra pemë.

Në videot e siguruara nga Ora News dëgjohen thirrjet e banorëve: "Hiqe se futet sërish, mos i kini besë. Shteti është me ata, kemi 3 ditë futen brenda."

Banorët janë shprehur se janë në proces gjyqësor dhe firma e cila kërkon të ndërtojë thertoren duhet të presë për vendimin e Gjykatës.

"Jemi njoftuar në orën 03:15 të mëngjesit se kanë hyrë fadromat brenda dhe kanë prerë një pjesë, rreth 200 metra pa lejen e Gjykatës, pa një vendim Gjykate. Këta janë betuar se do e marrin ose me jetë ose pa jetë, janë të vendosur por ne do rezistojmë, nuk do i lejojmë të futen brenda. I gjetëm fadromat brenda, i përzumë.

Kjo do merret me luftë ose një gjë do bëhet. Vendimi i Gjykatës del për 20 ditë, a nuk pret burri 20 ditë? Vijnë e hyjnë natën si ujqër, a bëhet kjo punë natën? I lutemi qeverisë të vijë të bëjë çmos. Kemi ngelur lakuriq, ne po dalim zhveshur. Gjithë Republika është e privatizuar. Ne vetë Zot e vetë shkop do bëhemi këtu," thotë banorja. 

Banorët të cilët kanë bërë rezistencë prej 3 vitesh, presin vendimin e Gjykatës për prerjen e pyllit dhe ndërtimin e thertores dhe thonë se nuk do të lejojnë ndërtimin e saj dhe se do të mbrojnë pyllin me çdo kusht./OraNews/