"Vëmendja politike te Berisha”/ Bushati: Institucionet e PD në heshtje, Basha humbi 3 herë dhe s’dha dorëheqjen
Përjashtimi i ish-Kryeministrit Sali Berisha nga grupi parlamentar i PD, vendim që u mor nga Kryedemokrati Lulzim Basha, si dhe situata që është krijuar brenda Partisë Demokratike, është një nga temat më të diskutuara në javët e fundit.
Berisha, tashmë ka ndërmarrë nismën e ashtuquajtur “Foltore”, ku deri më tani ka zhvilluar takime me demokratët në Tiranë, Fier, Durrës Vlorë, e nesër do e zhvillojë në Shkodër.
Sakaq, Pedagogia Endira Bushati, në një intervistë që ka dhënë për Ora News, me gazetaren Matilda Mcini, shprehet se vendimi i Bashës për Berishën nuk pritej.
Përjashtimi i Berishës që si pasojë ka krijuar dhe situatën aktuale brenda PD, për Bushatin ishte një ngjarje e paralajmëruar pas humbjes së zgjedhjeve në vitin 2017.
Endira Bushati: Vendimi që dha Basha për Berishën nuk pritej. Por në fakt është një ngjarje e paralajmëruar shumë herët. Që pas humbjes që vitit 2017, në humbjen katastrofave, kjo do të ndodhte. Rrethanat sollën që të ishte vendimi i Bashës për përjashtimin e Berishës që e shpërtheu situatën brenda PD. Ka pasur një pakt të heshtur mes anëtareve të PD, kritikëve dhe shumë personaliteteve të kësaj force për të vendosur si prioritare interesat e PD dhe për të lënë mënjanë kritikat ndaj Lulzim Bashës. Ka pasur shumë që kanë dalë hapur me kritika ndaj Bashës. Basha u kujdes që të gjithë kritikët t’i përjashtoj nga PD.
Bushati thekson se institucionet brenda PD po heshtin, ndërsa Berisha ka marrë vëmendjen e politikës në vendin tonë.
Endira Bushati: Sot nuk kemi PD në kuptiminin institucional të fjalës. Sot ne shohim se ka heshtje në institucionet e PD. Në Këshillin Kombëtar, në Kryesi dhe në Grup Parlamentar ka vetëm heshtje. Sot çështja e PD është tema kryesore e ditës, foltorja e Berishës ka marrë të gjithë vëmendjen politike, dhe jo vetëm shqiptare. Berisha e ka pranuar përgjegjësinë e vet për heshtjen e tij të gjatë. Nuk kemi pse e fshehim, heshtja e tij e gjatë i solli gjërat deri këtu. Kjo ishte diçka për të ndodhur. PD pas humbjes së zgjedhjeve të këtij viti nuk mund të kishte më moralin, pasionin, lidershipin për të bërë opozitën morale të këtij vendi. Kjo ngjarje që ka marrë shumë vëmendje ka mbytur dhe atë se çfarë është kryesorja.
Ajo shprehet se Basha pas humbjes së tretë duhet të jepte dorëheqjen, ndërsa shton se ky i fundit po e çon Partinë vetëm në humbje.
Endira Bushati: Basha ka humbur për herë të tretë zgjedhjet. Nuk ka ndodhur në historinë e pluralizmit shqiptar që të humbësh tre herë zgjedhjet dhe të mos japësh dorëheqjen. Rama deklaroi se nëse do humbiste do të jepte dorëheqjen, ndërsa Basha nuk e tha kurrë një gjë të tillë. Nuk e thoshte sepse Basha e dinte se nuk do i fitonte kurrë zgjedhjet, sepse e dinte se çfarë po gatuante. Unë besoj që të gjithë ne që kemi qenë në strukturat e PD, për ne ka qenë e qartë se Berisha i ka kërkuar Bashës që të jepte dorëheqjen.
Berisha e ka dhënë dorëheqjen duke e lënë partinë së bashku me aleatët 680 mijë vota. Basha së bashku me aleatët në zgjedhjet e 25 Prillit, ka marrë 620 mijë vota. Basha jo vetëm që nuk jep dorëheqjen që nuk e çon Partinë në fitore, por po e çon Partinë në humbje me vetveten.
Përgatiti për online Anila Kolgjini.

