Burg nëse infektoje dikë me Covid-19, çfarë ndodhi me ligjin e miratuar nga PS-ja në pandemi?
Në muajt e parë të shpërthimit të pandemisë në vendin tonë, qeveria shqiptare ndërmori një sërë masa, ku ndër to ishte edhe projekt-ligji i “vrasjes me virus”.
Amendimi në ligj parashikonte që dikush dënohej deri 15 vjet burg nëse vërtetohet që një virus ka dalë nga trupi i një shkelësi ligji për të infektuar një person tjetër duke i shkaktuar vdekjen.
Pra, nëse një bartës i koronavirusit dilte në rrugë në kundërshtim me urdhrin e qeverisë, pavarësisht nëse është apo jo në dijeni se është mbartës i virusit duhet të dënohet, por vetëm pasi të vërtetohet se akti i tij në shkelje të urdhrit ka shkaktuar infektime të tjera.
Më pas propozimi e uli shifrën e dënimit duke miratuar vetëm atë deri në 8 vite burg për shkelësit.
Propozimi erdhi në fillim nga kryeministri Rama në prill të vitit 2020 dhe më pas kaloi në komisionin Parlamentar të Ligjeve i dominuar nga deputetët e PS-së.
Në ligj parashkruhet nga dënimi me gjobë, dëri në 8 vite burg për ata që shkaktonin viktima si pasojë e përhapjes së virusit nga vetë ata duke qenë të infektuar.
Masa të tilla parashikonin që dënime të tilla penale do të zbatoheshin vetëm në rastet e pandemive apo fatkeqësive natyrore.
Një qasje e tillë nga socialistët vinte në një kohë që shumë organizata dhe individë kishin akuzuar kryeministrin Rama që po të përdor pandeminë për të forcuar autoritetin e tij, duke shkelur edhe të drejtat e njeriut.
Aso kohe socialistët përcaktuan që këto vepra penale të shtohen pas nenit ekzistues 293 pas germës d, në kreun VIII, “Krime kundër autoritetit të shtetit”.
Ndërsa sot, duket se një amendim i tillë është harruar, ashtu sikurse u harruan dhe u falën edhe shumica e gjobave të marra gjatë pandemisë.
Ja çfarë thuhej në nenin 89/b të Kodit Penal- Përhapja e sëmundjeve infektive:
Përhapja me dashje e sëmundjes infektive me rrezikshmëri të lartë për shëndetin, nëpërmjet kryerjes së veprimeve apo mosveprimeve nga personi që është diagnostikuar si mbartës i sëmundjes apo nga personi që ka qëllim përhapjen e saj, dënohet me burgim nga 2 (dy) deri në 5 (pesë) vjet.
Kur kjo vepër është kryer nga pakujdesia dënohet me gjobë ose burgim deri në 2 (dy) vjet.
Po kjo vepër, kur ka shkaktuar pasoja të rënda për shëndetin ose është rrezikshme për jetën e njerëzve, dënohet me burgim nga 3 (tre) deri në 8 (tetë) vjet.
Neni 242/1 i Kodit Penal Moszbatimi i masave të autoriteteve shtetërore gjatë gjendjes së masave të jashtëzakonshme apo gjatë gjendjes së epidemisë
Moszbatimi ose kryerja e veprimeve në kundërshtim me aktet ligjore apo nënligjore të nxjerra nga organet shtetërore, në funksion të gjendjes së epidemisë apo të zbatimit të masave të jashtëzakonshme, nga personi ndaj të cilit është dhënë më parë masë administrative, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në 6 (gjashtë) muaj.
Po kjo vepër, kur është kryer në ushtrim të aktivitetit tregtar, duke vendosur në rrezik shëndetin e njerëzve, dënohet me gjobë ose me burgim deri në 2 (dy) vit.
Moszbatimi i urdhrit të dhënë nga organet kompetente për karantinimin ose izolimin apo shkelja e rregullave të karantinës ose të izolimit, nga personi mbartës ose jo i sëmundjes infektive, të cilit i është njoftuar ky detyrim nga autoritetet shtetërore përkatëse, dënohet me burgim nga 2 (dy) deri në 3 (tre) vjet.

