Eksperti i arsimit, Ndriçim Mehmeti ngre alarmin: Kemi politizuar shkollën deri në qelizën më të fundit
Mësimi me turne dhe me orë të shkurtuara ka bërë që prindërit e nxënësve në kryeqytet të nisim mbledhjen e firmave për zhvillimin e mësimit më orë të plota. Prej kësaj të enjteje, prindërit i kanë lënë 5 ditë kohë institucioneve për të reaguar ose në të kundërt do të bojkotojnë mësimin.
Nisma e prindërve nisi pranë shkollës “Emin Duraku” kërkesë e vetme e tyre ishte kthimi i orëve me 45 minuta.
Ndërkohë eksperti për arsimin Ndriçim Mehmeti, shprehet se kthimi në normalitet që orët mësimore të bëhet 45-minuta është i pamundur.
Në një intervistë për Ora News, ai u shprehet se kjo ndodh pasi s’kemi infrastrukturë shkollor.
Ndriçim Mehmeti: Ministrja e Arsimit është njoftuar për këtë dhe në deklaratën që bëri e kaloi topin te Ministria e Shëndetësisë. Për fat të keq fatalitetet janë rritur, numrat e rasteve janë rritur, mund të kemi një mësim online dhe kthimi në normalitet, pra orët 45 minutëshe është i pamundur. Janë 173 godina të shkatërruara, është e pamundur mësimi pa turne. Në shkollat tona s’ka as laborator, nuk zhvillohet as mësim. Jemi në kushtet kur prindi kërkon një të drejtën veten që është legjitime por kjo duhet të zgjerohet më shumë. Duhet të kërkohet cilësi. A e garanton kjo cilësinë? Mësuesit janë të keqpaguar, të nëpërkëmbur, e kemi politizuar shkollën deri në qelizën më të fundit. S’kemi infrastrukturë shkollore.
Ai shprehet se janë një sërë shkollash që po ndërtohen ndërsa thekson se gjithsej mungojnë 140 shkolla.
Ndriçim Mehmeti: Tani është e pamundur të ndryshohet. Janë një seri shkollash që janë në ndërtim. Institucionet nuk duan të mbajnë përgjegjësinë e vet. Për mendimin tim duhet të thonin: ne nuk kemi kushte nuk bëjmë mësim. Na u tha se u bënë 36 shkolla, sikur të jenë 136 shkolla, mungojnë dhe 140 të tjera. dhe sikur ato të kenë filluar tani, në rastin më të mirë fillojnë në fund të vitit. Është e pamundur që të bësh 40 veta në klasë në klasat që janë të ngushta dhe më tepër në kushtet e pandemisë. Ne kemi thyer dhe protokollet e Ministrisë. Nuk shoh masa paraprake.
Për Mehmetin kjo situatë që është krijuar në lidhje me ndërrimin turneve do të sjellë konflikt social brenda shtëpisë, sakaq shton se shumë prindër i çojnë fëmijët në shkolla private, pasi kanë standarde cilësore.
Ndriçim Mehmeti: Do ketë edhe konflikt social brenda shtëpisë, sepse ti nuk e menaxhon dot jetën e fëmijës. Familjet nuk do mund të menaxhojnë dot transportin. Prindërit tani po zgjedhin që t’i çojnë fëmijët në shkolla private. Shkolla private lulëzon, sepse ka mësues të mirë paguar, ka një infrastrukturë të mrekullueshme dhe nuk bëjnë mesim me turne sepse ka një standard të vetin. Nuk marrin më shumë se 24 nxënës për klasë.
Intervistoi Klodi Karaj, përgatiti për online Anila Kolgjini.
