“Fillova sportin për t'u larguar nga rruga”, rrëfim ndryshe nga peshëngritësi Qerimaj: Do garoj në botëror
Peshëngritësi shqiptar Erkand Qerimaj, është shpallur kampion bote në vitin 2016 në Kinë, ndërsa ka rrëmbyer disa herë dhe çmimin e parë në Europë.
33-vjeçari, i cili është fitues i 50 medaljeve, para disa vitesh është nderuar me Urdhrin “Mjeshtër i Madh”, nga ish-Presidenti Bamir Topi.
Së fundmi në një intervistë për emisionin ‘Jeto me Orën’ në RTV Ora, ka rrëfyer se si nisi karriera e tij dhe cilat ishin sfidat në këtë sport.
Ai shprehet se këtë vit do të marrë pjesë në kampionatin botëror me kategorinë 73 kilogramë
Erkand Qerimaj: Po bëhemi gati për kampionatin botëror, dhe do të ndryshojë kategorinë. Do dalë më kategorinë 73 kilogramë. Deri më tani kam konkurruar në peshën 81 kilogramë dhe rezultatet më të mira kanë qenë nën peshën 77, por pati ndryshime kategorish. Tani do heq ca kile, që të kem ndryshime në rezultat.
Qerimaj, tregon se ka mbaruar dy Universitete, dhe tashmë përveç sportit të tij, ai është pedagog edhe në Universitetin “Marin Barleti”.
Erkand Qerimaj: Unë kam mbaruar dhe dy universitete. Kam mbaruar Universitetin tek Marin Barleti, dhe te Universiteti i sporteve. Jam dhe pedagog i jashtëm tek pasha e peshngritjes te ‘Marin Barleti’. Është e vështirë, nuk është e lehtë, por unë ia kam arritur që t’ia dalë.
Peshëngritësi thotë se i kishte vendosur qëllime vetes për të arritur gjërat që donte.
Erkand Qerimaj: I kisha vendosur qëllime dhe motive vetes. Po t’I kisha thënë dikujt që do dalë kampione bote, s’do e kishte besuar kush. Kam punuar për të arritur rezultatin. Mendoj se çdo person duhet të punojë dhe të jap maksimumin për të marrë atë që do.
33-vjeçari thotë se e ka nisur karrierën në Shkodër në vitin 1997, dhe prindërit e kishin çuar në palestër për të mos shkaktuar probleme.
Erkand Qerimaj: Unë e kam nisur këtë sport në vitin 1997 në Shkodër, ka qenë një periudhë shumë e vështirë. Palestra edhe pse ishte me shumë kushte të vështira, ishte ambient më I ngrohtë dhe ne si fëmijë për të kaluar kohën. Edhe për t’u larguar nga rruga dhe për të mos u bërë pjesë e problem sociale. Dhe aty ka nisur rrugëtimi im. Nuk e ka ditur se do të bëhem kaq I suksesshëm. Familja më çuan në sport për t’u largu nga rruga. Nuk e mendonte kush se do bëhesha kampion.
