Nëse s'do isha futur në politikë do isha bërë avokate, Xhixho rrëfen sfidat e karrierës
Erisa Xhixho sapo ka nisur detyrën në Parlamentin e vendit. Dikur me ëndrra si çdo adoleshent për të ndryshuar Shqipërinë, ishte vetëm 17 vjeç kur iu bashkua organizmave politikë.
Xhixho rrëfen në emisionin "Jeto me Orën" në RTV Ora jetën mes politikës, pasioneve dhe familjes. Për moderatoren Ana Kallaku, ajo rrëfeu se e ka nisur rrugëtimin në politikë qëkur ka qenë e vogël dhe mendon se ka qenë një pasion dhe dëshirë e lindur me kohën.
Xhixho: "Rrugëtimi ka qenë i vështirë dhe ka pasur sfida. Të gjithë angazhimin tim e shoh si diçka që e kam pasion dhe dëshirë që ka lindur me kohën qëkur kam qenë e vogël dhe vazhdon."
E pyetur nëse ka pasur momente kur ka dashur të hiqte dorë, Xhixho tha se ka gjithmonë situata në të cilat zhgënjehesh dhe mendon se zgjidhja më e lehtë është të largohesh. Por sipas saj e rëndësishme është të gjesh forcën të ringrihesh.
Xhixho: "Ka pasur momente ku njeriu përballet me sfida, humbet, zhgënjehet në situata të caktuara. Ndodh një moment që edhe mendon të largohesh është zgjidhja më e lehtë, por rëndësi ka kur gjen forcën dhe ringrihesh. Edhe pse rrëzohesh, edhe kur shkon lart vështirësia më e madhe është kur shkon lart dhe nuk duhet të harrosh se ku ke qenë, nuk duhet të harrosh vlerat njerëzore."
Nëse nuk do të ishte politikane çfarë do të dëshironte të bëhej Erisa Xhixho?
Deputetja tregoi ëndrrat e saj të fëmijërisë në studio dhe tha se ka dashur të bëhej balerinë dhe këngëtare. Por nëse nuk do t'i ishte futur politikës, do të kishte zgjedhur profesionin e avokatisë.
Xhixho: "Kur kam qenë e vogël kam dashur të jem balerinë, këngëtare, avokate dhe pastaj devijoi. Por nëse nuk do bëja këtë profesion, këtë mision, unë do kisha qenë në fushën juridike patjetër. Do kisha qenë avokate në çështjet familjare, në çështjet civile, ose në shoqërinë civile."
Xhixho: Politika të vë para provës së karakterit, duhet të jesh e fortë për ta përballur
Erisa Xhixho foli edhe për vështirësitë në karrierë. Ajo u shpreh se në të kaluarën në politikë kanë dominuar meshkujt ndërsa tani kjo dominancë ka ndryshuar duke bërë që femrat të jenë më të preferuara. Politika më ka rritur, u shpreh Xhixho dhe sipas saj është sfiduese jo vetëm për gratë, por edhe për burrat që futen në politikë.
Xhixho: "Padyshim që është e vështirë, kanë dominuar në të shkuarën meshkujt. Me kalimin e viteve është trend, shoqëria e ka pranuar, sondazhet e kanë treguar që preferohen më shumë gratë dhe vajzat në politikë dhe ky është një mesazh shumë i mirë që tregon emancipimin e shoqërisë, por padyshim që është sfidë. Politika të vë para provës së karakterit dhe duhet të jesh shumë e fortë për ta përballuar. Mua më ka rritur nëse shoh që nga fillimi e deri ku jam sot, por më ka forcuar. Jam munduar me shumë këmbëngulje që ato detaje që më personifikojnë pavarësisht t'i ruaj fort. Është sfidë edhe për burrat, jo vetëm për gratë. Mendoj që sot jemi një shoqëri më e hapur ndaj grave dhe vajzave."
Në studion e "Jeto me Orën" Xhixho dha dhe një mesazh për të rinjtë. Ajo i ftoi që të angazhohen sa më shumë në politikë.
Xhixho: "Unë do t'i thosha vetëm një mesazh. Mendoj që të rinjtë duhet të angazhohen në politikë, në shoqëritë civile apo në çfarëdolloj forme sepse rinia është gjithmonë në opozitë. Ne duhet të ndërtojmë një rini që njeh vetveten, ka respekt për vete, mbron kauzat e veta dhe lufton për to. Sa më e edukuar të jetë aq më mirë i bën dhe vendit. Angazhimi i tyre në politikë është një premisë shumë e mirë. Elitat politike duhet të ndryshojnë, të riciklohen kështu që bëhu pjesë. Nëse ke vlera të caktuara dhe beson, ti mund t'ia dalësh."/OraNews/
