“Lufta ime ishte për të qenë një person model", peshëngritësi Erkand Qerimaj tregon vështirësitë e karrierës
Peshëngritësi shqiptar Erkand Qerimaj, i cili ka rrëmbyer disa çmime të para në botë dhe në Europë, në kategorinë peshëngritës, tregon se përveç pasionit të tij, ai ka punuar shumë për të qenë dhe një model në shoqëri.
Në një intervistë për emisionin “Jeto me Orën” në RTV Ora, 33-vjeçari shprehet se për të arritur gjërat që do në jetë, fillimisht duhet të kesh norma në familje dhe rrethin shoqëror.
Erkand Qerimaj: Lufta ime nuk ka qenë vetëm për të arritur një rezultat sportiv po për të qenë dhe një model. Edhe pse kam arritur shumë rezultate, unë ndjek sportistët më të mirë në botë, që janë Kristiano Ronaldo, Ibrahimovic, dhe ka shumë sportistë që janë dhe modele familjare dhe sportist. Për mendimin tim sado që të arrish në jetë, po nuk je në radhë të parë njeri, person me norma familjare dhe shoqërore për mua janë zero.
Peshëngritësi shprehet se gjatë karrierës së tij, ku ka pasur vështirësi dhe dëmtime fizike, afër ka pasur njerëz pozitiv, të cilët e kanë frymëzuar për të vazhduar përpara.
Erkand Qerimaj: Për të qenë kampion dhe për të arritur rezultatet në jetë, duhet të kesh njerëz pozitiv që të shoqërojnë dhe të frymëzojnë. Dhe unë falënderoj Zotin për njerëzit që kam pasur dhe kam afër. Kam pasur momente të vështira në karrierë, kam pasur dhe dëmtime, por në momentet më të vështira kam punuar që të ringrihem sërish./ Ora News/
