Protestë për burimin e Sinecit, Qytetari: Do ketë drejtësi kur Kryeministri të jetë i barabartë me çobanin që rri në Tomorr
Banorët e Lumasit kanë dalë sot në protestë përpara Njësisë Asdminiatrative Lumas. Një ditë para vendimit që pritet të merret nesër nga Gjykata Administrative Vlorë për akuzat e ngritura ndaj bashkisë Kuçovë nga banorët e Lumasit, këta të fundit janë mbledhur sot edhe një herë në protestë, për të kundërshtuar vendimin e bashkisë për ndërtimin e ujësjellësit me burimin e Kanionit të Sinecit.
Sipas banorëve, ky projekt me një fond prej 6 miliard lekësh po kryhet për përfitime personale të kryebashkiakut të Kuçovës dhe firmës Salillari dhe për këtë arsye dy muaj më parë ata kanë akuzuar për "Dhënie të paligjshme të lejes së ndërtimit të ujësjellësit" bashkinë e Kuçovës.
Banorët e Lumasit e cilësojnë projektin si “korruptiv” për të favorizuar oligarkun Salillari, pasi siç shprehen banorët, të gjitha fshatrat e Lumasit kanë ujësjellës, ndërsa 2 fshatra që nuk kanë ujë të pijshëm nuk janë përfshirë fare në projektin e ujësjellësit të bashkisë. Banorët kërkojnë pezullimin e menjëhershëm të punimeve në kanionin e Sinecit, zonë e mbrojtur që prej viti 2002, si dhe rehabilitimin dhe kthimin në gjendjen e mëparshme të gjithë zonës së dëmtuar nga punimet e këtij ujësjellësi. Në pritje të vendimit që do të merret nesër nga Gjykata Administrative e Vlorës, banorët kërkojnë vetëm zbatimin e ligjit dhe jo favorizimin e askujt sepse çdo ekspert që ka ardhur në zonë ka konstatuar vetëm shkelje dhe abuzime me tenderin e ujësjellësit.
“ Kemi protestuar këtu që në fillim të projektit, për ne është kriminale. është projekt korruptim. Ka korrupsion në maksimum. Është 6 miliard lekë projekti. I bëjmë thirrje Kontrollit të lartë të shtetit që të ndërhyjë sa më parë ta zbërthejë këtë korrupsion. Besnik Hajdari, Administratorit të Komunës sonë, SPAK të merret me ta. I bëjë thirrje dhe atij gjyqtarit që të bashkohet me popullin. Urbanisti i Kuçovës duhet të arrestohet në seancë gjyqësore. Është shkatërruar bimësia, është asgjësuar komplet gjëja e gjallë. Nga Devolli në Osum është i vetmi burim që i mban gjallë. Kanë shpërdoruar shtratin e lumit tonë. I bëjë thirrje dhe Ramës që ta shikojë këtë, se po asgjëson një zonë të tërë.”- shprehet banori.
“Jemi shumë të zhgënjyer me jetesën që po bëjmë sepse këtu është një vend i korruptuar nga administrata që është sot. Ujvarën në Sinec, nuk e ka bërë as Salillari, as Administratori as Rama, atë e ka bërë Perëndia. Ajo është zonë e mbrojtur në 2002. Kemi katër seanca që gjyqtari nuk e jep vendimin. Ne nuk kemi ku shkojmë. Me atë ujë vadisim, dhe jemi kundër shkatërrimit të atij burimi. Duam vendimin nga gjykatësi i Vlorës.”- shprehet një tjetër.
“Është shpallur monument kulture. Gjyqtari nguron akoma. Nëse do demokraci duhet të ketë drejtësi, këtu nuk ka drejtësi. Për mendimin tim drejtësia në Shqipëri, kur Kryeministri të jetë i barabartë me çobanin që rri në Tomorr. Ky nuk u dënoka se qenka Kryetar Bashkie apo Ministër. Ky projekt është korruptiv dhe është bërë vetëm për të vjedhur. Është 5 miliard lekë, me këto lekë mund të bënim rrugët e të gjitha fshatrave. Këta ja japin votën këtij, i bien fyllit me një frymë. Të jepet vendimi nesër për ndalimin e punimeve ose nga salla nuk del njeri. “- shton një tjetër banor në protestë.
ADZM Elbasan ka konstatuar shkelje të rënda në kanionin e Sinecit (zonë e mbrojtur),ndërkohë që edhe 3 inspektorët e IKMT-së Elbasan: Klajdi Merxhani,Aranit Çela dhe Ardian Lufo kanë mbajtur edhe proçes-verbalin e konstatimit të kundravajtjes në datën 05.08.2021,ku janë konstatuar: marrja pa leje administrative e ujit, mospajisje me autorizim, veprimtari që kryhen në kundërshtim të mbrojtjes së brigjeve dhe ndërtimin e objekteve për shfrytëzimin e burimeve.
Disa ditë më parë,edhe dy inxhinerë që kanë inspektuar zonën kanë konstatuar se të gjitha objektet që po ndërtohen kanë prekur edhe zonën e mbrojtur edhe zonën buferike të Kanionit të Sinecit. Po kështu,akt-kontrolli teknik i inxhiniereve hodhi poshtë pretendimet e bashkisë Kuçovë për nevojat e fshatrave për furnizimin me ujë, duke deklaruar se të gjitha fshatrat kanë ujësjellës./ Ora News/


