SPAK heton “Sinecin”, procedim për Kreshnik Hajdarin, Blendi Klosin e Pëllumb Salillarin
Ish-ministri i Turizmit Blendi Klosi, biznesmeni Pëllumb Salillari dhe ish-kryetari i bashkisë së Kuçovës Kreshnik Hajdari, po hetohen nga SPAK për padinë e bërë nga banorët e Sinecit lidhur me lejen e dhënë për ndërtim ujësjellësash në kanionin e kësaj zone. Lajmi është konfirmuar nga drejtuesi i SPAK, Arben Kraja, përmes një shkrese zyrtare ku theksohet se hetimet po kryhen për veprën e shpërdorimit të detyrës.
Prokuroria e Posaçme SPAK, ka hapur hetimet duke regjistruar procedim penal, ndaj kryetarit të Bashkisë Kuçovë, Kreshnik Hajdari, ish-ministrit të Turizmit, Blendi Klosi dhe biznesmenit të ndërtimit Pëllumb Salillari.
Drejtuesi i SPAK, Arben Kraja, nëpërmjet një shkrese thekson se qysh prej datës 12 korrik 2021, është nisur një procedim për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”.
Ky procedim është iniciuar pas kallëzimit të bërë në 3 korrik 2021 nga banorët e fshatit Lumas të Kuçovës, të cilët kundërshtojnë nëpërmjet protestave dhe rrugës ligjore, ndërtimin e një ujësjellësi që shkatërron burimin e ujit në kanionin e Sinecit, raporton Ora News.
Në letrën e tij, Kraja thotë se ky procedim penal është në fazën e hetimeve paraprake dhe se tashmë kanë nisur nga prokurori, verifikimet e plota dhe të gjithanshme.
Mësohet se 123 banorët e fshatit Lumas, kanë paraqitur në Prokurorinë e Posaçme SPAK një kallëzim penal për “Shpërdorim detyre”, kundër kryetarit të bashkisë së Kuçovës Kreshnik Hajdari, ish-ministrit të Turrizmit Blendi Klosi dhe biznesmenit Pëllumb Salillari.
Sipas banorëve të zonës, kryetari i Bashkisë Kuçovë, Kreshnik Hajdari ka miratuar lejen e ndërtimit të një Ujësjellësit në kanionin e lumit Sinec, që sipas tyre është zonë e mbrojtur dhe shpallur Monument Natyre me vendimin e Këshillit të Ministrave të vitit 2002, për shpalljen si zonë e mbrojtur dhe Monument Natyre.
Në këtë zonë është dhe një burim uji, i cili është pjesë e këtij Monumenti Natyror, raporton Ora News.
“Bashkia Kuçovë nëpërmjet kryetarit të bashkisë Kreshnik Hajdari, ka nxjerrë një leje ndërtimi dhe pikërisht leja Infrastrukture e datës Tetor 2020, e cila do të ndërtohet në Kanionin e Lumit Sinec,e cila është zonë e Mbrojtur dhe shpallur Monument Natyre”-thuhet në padinë penale.
Sipas denoncimit, ndërtimi i Ujësjellësit, kalon limitet pasi parashikon 4 Ujësjellësa për të cilët kjo zonë nuk ka nevojë për ujë ashtu siç pretendon Bashkia që ka konkluduar në dhënien e lejes së ndërtimit.
Banorët e zonës protestojnë kundër ndërtimit të Ujësjellësit me argumentin se tenderi i bashkisë së Kuçovës me vlerë 361 milion lekë të reja, është një aferë korruptive e kryebashkiakut Hajdari./OraNews/
