Pas marrëveshjes Kosovë-Serbi, Lajçak dhe Escobar drekojnë: Uniteti, çelësi i suksesit në Ballkanin Perëndimor

Kosova dhe Serbia arritën sot marrëveshjen për zgjidhjen e krizës mbi reciprocitetin për targat e automjeteve.

Pas negociatave disaorëshe, i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi Miroslav Lajçak  ka drekuar me të dërguarin e ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar në Bruksel.

Lajçak e ka falenderuar diplomatin amerikan për mbështetjen që i ka dhënë dialogut mes dy shteteve.

"Falenderoj zëvendësndihmës sekretari amerikan për Çështje të Evropës dhe Euro-Azisë, Gabriel Escobar,i cili ka kaluar ditët e fundit në Bruksel në mbështetje të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja. Uniteti BE-SHBA është çelësi për sukses në Ballkanin Perëndimor”, ka shkruar Lajçak.

Reciprociteti për targat është bërë shkak nga 20 shtatori për rritjen e tensioneve mes Kosovës e Serbisë, për disa incidente dhe shfaqje të forcës ushtarake në kufirin verior kosovar.

Uashingtoni dhe Brukseli ngulmuan këto ditë për evitimin e acarimit të situatës.

Ndërkohë Prishtina zyrtare është deklaruar se ishte në të drejtën e saj sovrane të marrë një vendim që Serbia e aplikon prej vitesh përkundrejt saj.

Reciprociteti ishte bërë pengesë për dialogun dhe bëri që të anulohej një takim i planifikuar për këtë të enjte mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, në Bruksel./Ora News/