Plumbi që goditi Aldi Ramën nuk është gjetur, çohet për ekspertim pistoleta që u gjet pranë tij
Pistoleta tip “TT” dhe një gëzhojë e gjendur shumë pranë trupit të shtrirë të Aldo Ramës, janë çuar për ekspertim balistik dhe daktiloskopik në laboratorin e kriminalistikës në Tiranë.
Vendimi për ekzaminimin e armës së përdorur nga Aldi Rama, është marrë ditën e djeshme nga prokuroria e Lezhës, e cila u ka kërkuar ekspertëve që të analizojnë gjurmë daktiloskopike në armën e sekuestruar dhe më pas të vijojnë me kryerjen e ekspertizës balistike.
Nga të dhënat e para krijohet bindja maksimale se Aldi Rama, ka qëlluar veten me pistoletën e tij, pasi shumë pranë vendit të ngjarjes është gjetur dhe një gëzhojë pistolete 9 milimetërshe.
Por teksa prokuroria është në pritje të rezultatit të ekzaminimit të armës, ajo që e vështirëson daljen në një konkluzion të shpejtë është fakti i mungesës së predhës së qitur nga arma e gjendur në vendgjarje.
Nga ekzaminimi i plagës së shkaktuar në pjesën e kokës, mjekësia-ligjore konstatoi se Aldo Rama, ka dy plagë në kokë, e cila ka një hyrje dhe një dalje.
“Plumbi është tejshkues dhe ka lënë gjurmët e një plage në formë tubi. Ende nuk është gjetur predha që ka shkaktuar këtë plagë, ndaj kjo do sjellë dhe pak vonesa në daljen e një konkluzioni të shpejtë dhe përfundimtar”-tha për Ora News një nga ekspertët që është angazhuar tashmë me këtë çështje.
Tashmë procesi hetimor ka hyrë në fazën e verifikimit të përgjithshëm të ngjarjes, ku policia dhe prokuroria aktualisht janë përqëndruar në ekzaminimin e imtësishëm të armës.
Kjo armë tip “TT” do testohet në laboratorin kriminalistik, nëse është përdorur dhe në gjarje të tjera ose jo.
"Çështja penale që në ditën kur dhe ndodhi ngjarje kriminale është zgjidhur nga ana juridike dhe që me kryerjen e veprimeve hetimore shteruse, do merret vendimi për mbylljen e dosjes. Kjo pasi personi përgjegjës për vrasjen me armë zjari të punonjësit të policisë Saimir Hoxha, ka ndërruar jetë dhe që në këtë moment përgjegjësia penale e tij shuhet”-tha për Ora News një burim pranë policisë së Lezhës, i angazhuar në hetimet që po kryen për këtë dosje.
Me vdekjen e Aldi Ramës sigurisht që pushohet dhe çështja tjetër penale e tij, ajo e “Prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike”, ku Rama ishte arrestuar në Tetor 2020 dhe liruar në “arrest shtëpie” në 6 Maj 2021 për 30 doza me lëndë cannabis stativa.
Aldi Rama ndodhej në masën e “arrestit në shtëpi”, por kjo gjë nuk e pengoi atë të lëvizte lirshëm në rrugët e qytetit të Lezhës dhe zonës së Shëngjinit, deri sa në paraditen e datës 28 shtator 2021, ekzekutoi me dy plumba punonjësin e policisë Saimir Hoxha.
