"Iku me këmbët e veta në...", bashkëshorti i mësueses së ndjerë në Pogradec akuza mjekëve, reagon spitali
Një 46-vjeçare ka ndërruar jetë në spitalin e Pogradecit të martën (28 shtator), ndërsa familjarët e viktimës kanë akuzuar mjekët e urgjencës për mjekim të pakujdesshëm. Ndërsa në një reagim të spitalit, thuhet se pacientja ka marrë trajtimin e duhur, ndërsa pritet ekspertiza mjeko-ligjore.
Anila Bazelli, 46-vjeç, nga Pogradeci, ka humbur jetën të martën në spitalin e Pogradecit, në rrethana ende të paqarta.
Bazelli me profesion mësuese, është paraqitur në urgjencën e spitalit të Pogradecit rreth orës 19:00 të së martës, ndërsa pas mjekimit fillestar gjendja e saj është përkeqësuar, ku edhe ka humbur jetën.
Familjarët e viktimës, duke thënë se 46-vjeçarja ka shkuar vetë në spital, akuzojnë mjekët e urgjencës për trajtim të pakujdesshëm që ka çuar në vdekjen e saj.
"Zonja ime ishte mirë me shëndet, ka ikur nga mjekimi i pakujdesshëm. Iku me këmbët e saj në spital, tension normal. Ju bë gjilpëra dhe mbaroi në sekonda".
I menjëhershëm ishte edhe reagimi i Spitalit të Pogradecit nëpërmjet Shefit të Shërbimit Vasfi Topçiu, i cili duke thënë se pacientes i është dhënë ndihma e parë në mënyrë korrekte, deklaron se për detajet pritet ekspertiza mjeko-ligjore.
"Personeli i urgjencës së spitalit me paraqitjen e të sëmurës i është përgjigjur menjëherë. Për të dhëna më të sakta jemi në pritje të ekspertizës mjeko-ligjore."
Nisur nga pretendimet e familjarëve, prokuroria e Pogradecit ka urdhëruar që trupit të viktimës t’i bëhet autopsia dhe të mësohet shkaku i vërtetë i vdekjes.
