Vrasja e Nënoficerit Hoxha/ Ardi Veliu: Këmbanë alarmi, policia e Saimiri sot u vra dy herë nga krimi dhe drejtësia e vjetër
Mes dhimbjes për humbjen e kolegut, shokut dhe nënkomisarit Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Ardi Veliu mbajti fjalimin e lamtumirës për Saimir Hoxhën.
Nënkomisari u vra paraditen e 28 shtatorit gjatë një aksioni antikanabis në Kune Vain të Lezhës.
Veliu e quajti ditë reflektimi të shoqërisë dhe autoriteteve të ligjit për ta përkrahur më fort Policinë e Shtetit në përmbushjen e misionit të saj.
"Ndërkohë është edhe një kambanë alarmi për të ndalur përbaltjen e Policisë, duke i shërbyer me dashje apo pa dashje, frymëzimit të krimit që merr guxim e ngre dorën vrastare mbi punonjësit e Policisë së Shtetit. Kolegu ynë dha jetën në përpjekje për të bërë detyrën sa më mirë, i udhëhequr nga ligji, vlerat e sakrifica deri në sublim. Ai u vra nga një i ri, i arrestuar më parë nga Policia dhe i çuar para drejtësisë, e cila e liroi edhe pse kishte një dënim me disa vite burg.
Saimiri dhe Policia sot janë vrarë dy herë, nga krimi dhe nga drejtësia e vjetër, që shpeshherë vendimet e saj, i kanë paguar me jetë punonjësit e Policisë së Shtetit.
Organizata e Policisë është e vetmja që ka paguar kaq shtrenjtë përmbushjen e detyrës dhe misionit të saj. Dhe kjo, jo për paaftësi apo për mungesë profesionalizmi të punonjësve.
Punonjësit e Policisë përballen çdo ditë me krimin, me paligjshmërinë. Dalin në mëngjes nga shtëpia duke u përshëndetur me familjen si të ishte hera e fundit, pasi e tillë është puna dhe misioni ynë."
Veliu tha se familja e Hoxhës do të ketë në krah të gjithë policinë.
"Ju nuk do të jeni vetëm asnjëherë. Jeni pjesë e familjes sonë të madhe, që është Policia e Shtetit dhe përherë do t’ju gjendemi pranë, për t’ju lehtësuar sadopak mungesën fizike të Saimirit.
Ky moment i ndarjes fizike me Saimirin është shumë i vështirë jo vetëm për familjen dhe për gjithë organizatën e Policisë, por është dhe burim force e kurajoje për të vazhduar luftën me vendosmëri kundër krimit në përgjithësi dhe krimit të organizuar në veçanti."
Janë 224 efektivë policie të cilët në këto vite dhanë jetën për ta bërë Shqipërinë një vend më të sigurtë.



