Vrasja e oficerit në Lezhë/ Maliqi: Krimi vrau shtetin, Çuçi si struci qe fsheh kokën

Ish-deputeti, Lefter Maliqi, ka reaguar në lidhje me vrasjen e oficerit të policisë, Saimir Hoxha, ditën e djeshme në Lezhë.

Në një postim që ka bërë në rrjetet sociale, Maliqi shkruan se krerët e policisë dhe Rilindja janë një me krimin.

Më tej shton se është koha për revolucion demokratik dhe shtet ligjor.

“Krimi vrau Shtetin, Çuçi del para mediave si struci qe fsheh kokën. Ngushëllime familjareve, kolegeve dhe te afërmve të Nenkomisarit të policisë qe ra dëshmor në krye të detyrës.

Rilindja, krerët politik te policisë, drejtësia janë një me krimin. Krimi pasurohet, vret, kërcënon, trafikon, vjedh, grabit, ble zgjedhjet duke pasur mbrojtje te Ramziut dhe çetes se tij kriminale në të gjitha pushtetet. Shpopullimi i Shqipërisë e varfërimi i qytetareve, janë strategji e Ramziut ne bashkepunim me krimin,bandat e oligarket për të nënshtruar popullin dhe vjedh zgjedhjet e pushtetet. Sot me shume se kurrë jam me bazën e policisë se shtetit, jam me dhimbjet e tyre. Koha për zgjim, për ringritje , për revolucion demokratik dhe për shtet ligjor.”- shkruan Maliqi. 

Ngjarja e rëndë ndodhi ditën e djeshme në Lezhë, ku Saimir Hoxha, 44-vjeç, u qëllua për vdekje nga Aldo Rama. Ky i fundit ka ndërruar jetë ditën e sotme në spital, pasi ditën e djeshme u vetëplagos, ndërsa policia po e kërkonte që ta arrestonte.

Hoxhës, i cili është shpallur ‘Dëshmor i Adheut’ i është dhënë lamtumira e fundit ditën e sotme./ Ora News/