Shqipëria marrëveshje me Spanjën për ekstradimet, Manja: Sinjal i qartë për botën e krimit
Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja ka njoftuar marrëveshjen e re të Shqipërisë me Spanjën për ekstradimet. Manja u shpreh se kjo marrëveshje është një mesazh i qartë në botën e krimit dhe një shenjë e bashkëpunimit midis vendit tonë dhe Spanjës për goditjen e krimit.
Manja: "Sot në Këshillin e Ministrave i hapëm rrugë marrëveshjes mes Spanjës e Shqipërisë për ekstradimet. Shenjë e besimit të fortë mes dy vendeve tona, natyrisht që Shqipëria ka pasur dhe ka bashkëpunim me Spanjën edhe sot por ky bashkëpunim bazohet në Konventën Europiane të 1957. Nëpërmjet kësaj marrëveshjeje të re që ne nënshkruajmë sot me Spanjën, eleminojmë një pengesë që ekziston mes dy vendeve tona dhe që ka të bëjë me rezervën ligjore me të cilën Shqipëria ka ratifikuar Konventën Evropiane mbi ekstradimin për moslejimin e ekstradimit të shtetasve shqiptarë drejt Spanjës dhe anasjelltas. Nëpërmjet kësaj marrëveshjeje eleminohet kjo pengesë dhe tashmë do të lejohen ekstradimi i shtetasve shqiptarë në drejtim të Spanjës dhe anasjelltas.
Kjo forcon bashkëpunimin mes autoriteteve gjyqësore, të përmirësojë ekstradimin, por dhe instrument shtesë. Një sinjal i qartë për botën e krimit, që çdo shtetas shqiptar që kryen një krim në Spanjë nuk gjen strehim në Shqipëri, apo një spanjoll që kryen një vepër në Spanjë dhe vjen në Shqipëri, nuk mund të strehohet as Shqipëri përveçse t'i nënshtrohet drejtësisë së secilit vend. Është një mesazh i qartë që shkon në botën e krimit."/OraNews/
