Gjiknuri takim me delegacionin e ODIHR: PS e gatshme të ulet në tryezë dialogu me opozitën
Sekretari i Përgjithshëm i PS, Damian Gjiknuri, ditën e sotme është takuar me një delegacion të ODIHR-it kryesuar nga ambasadorja Urszula Gacek.
Lajmin e ka bërë me dije vetë, Gjiknuri në një postim që ka bërë në rrjetet sociale, ku njofton se në fokus të bisedës, ishte raporti për monitorimin e zgjedhjeve.
Gjiknuti thotë se, Partia Socialiste është e gatshme të ulet në tryezë dialogu me opozitën si për reformën zgjedhore ashtu edhe për atë territoriale.
Postimi i plotë:
Pata kënaqësinë të pres në takim një delegacion të ODIHR-it kryesuar nga ambasadorja Urszula Gacek, shefe e misionit vëzhgues për zgjedhjet parlamentare të 25 Prillit.
I falenderova për kontributin e tyre si në procesin e hartimit të reformës elektorale përpara zgjedhjeve ashtu edhe në monitorimin e mëpasshëm të procesit zgjedhor.
Duke e vlerësuar si shumë të rëndësishëm për procesin e dialogut politik rikthimin e opozitës në institucione, shpreha gadishmërinë e mazhorancës për tu ulur sa më parë në tryezë me opozitën me synim adresimin e të gjitha rekomandimeve të lëna nga raportet e OSBE/ODIHR-it, përfshirë nevojë për depolitizimin e administratës zgjedhore.
Dialogu politik brenda institucioneve ka raste të shumta suksesi të kryerjes së reformave të rëndësishme bipartizane. Në këtë frymë, Partia Socialiste është e gatshme të ulet në tryezë dialogu me opozitën si për reformën zgjedhore ashtu edhe për atë territoriale.
