Eliminohet oferta e ulët, Bashkia e Tiranës nuk pranoi argumentet e kompanisë, tenderi në KPP
Një tjetër prokurim i dyshimtë i bashkisë së Tiranës ka përfunduar në dyert e Komisionit të Prokurimeve Publike.
Për krijimin e një poli rekreativ në Parkun e Liqenit të Farkës fitues i tenderit është shpallur kompania "Leon Constraction", e cila ka ofertuar 19.7 milionë lekë.
Por në dokumentet zyrtare thuhet se në tender kanë marrë pjesë 9 kompani dhe katër prej tyre janë eliminuar pasi kanë dhënë një çmim tepër të ulët, çka u konsiderua anomali nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave në bashkinë e Tiranës. Vendimi është argumentuar si i bazuar në ligj.
Menjëherë pas kësaj është subjekti "2N" që ofertoi 18.2 milionë lekë ka paraqitur ankesë, por nga autoriteti nuk është marrë parasysh.
Në ankesën e paraqitur në KPP, subjekti ka bërë të ditur se i ka argumentuar bashkisë tiranë kostot për secilin zë, ndaj dhe vlera e dhënë sipas tyre qëndron.
Mbetet tashmë për të parë vendimin e KPP që do të analizojë dokumentacionet e paraqitura nga operatori ekonomik ankimues për të marrë më pas një vendim për lënien në fuqi apo anulimin e tenderit.
Me sa duket nuk janë vetëm kriteret e qepura ato që eliminojnë kompanitë, por edhe kur plotësohen kushtet, skualifikimi bëhet me cilësimin ofertë anomalisht e ulët.

