Rihapen hetimet për ish-ministrin Fatmir Mediu, Apeli i Posaçëm pranon kërkesën e SPAK për Gërdecin

Gjykata e Apelit të Posaçëm pranoi kërkesën e prokurorisë për të rikthyer në hetim dosjen ndaj Fatmir Mediut në lidhje me ngjarjen e vitit 2008 në Gërdec. Rihapja e çështjes u bë me kërkesë të familjes së 7-vjeçarit Erikson Durda që vdiq nga shpërthimi. SPAK tha se do të njihet me vendimin e më pas do të veprojë ndërsa avokatët e Mediut e cilësuan qëndrimin e Apelit si të paprecedentë pasi çështja ishte shqyrtuar deri në Gjykatën e Lartë.

Ish-Ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, do të përballet me drejtësinë për tragjedinë e Gërdecit.

Vendimi është marrë në dhomë këshillimi nga gjyqtarja e Apelit të Posaçëm, Saida Dollani, e cila ka rrëzuar vendimin e shkallës së parë, duke pranuar kështu kërkesën e SPAK për rihapjen e dosjes.

"Me referimin në parashikimin e pikës 1, shkronja b), të nenit 46, të ligjit 98/2016 “Për Organizimin e Pushtetit Gjyqësor në Republikën e Shqipërisë” si dhe, në interesin e treguar nga media, komunikohet në mënyrë të përmbledhur se, sot më datë 24.09.2021, në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, mbi ankimin e Prokurorit të Posaçëm dhe të trashëgimtarëve të viktimës E.D., u zhvillua seanca gjyqësore në dhomë këshillimi, për çështjen penale nr. 212 akti, datë 03.09.2021 regjistrimi, ku Gjykata vendosi, të ndryshojë vendimin nr. 60, datë 27.07.2021 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, duke pranuar kërkesën e Prokurorit të Posaçëm dhe revokoi vendimin e pushimit nr. 6, datë 14.09.2009 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, duke i kthyer aktet Prokurorit të Posaçëm për të proceduar" thuhet në njoftimin për mediat të Apelit të Posaçëm.

Tashmë do të jetë Prokuroria e Posaçme ajo që do të vendosë për fatin e ish-Ministrit nëse do ta dërgojë në gjykim me të njëjtat prova si në rastin e parë ku gjykimi u pezullua për shkak të mandatit të deputetit apo do te sjellë prova te reja.

SPAK u vu në lëvizje nga avokati i familjes Durda, e cila ka humbur djalin 7-vjeçar nga shpërthimi i Gërdecit.

Të afërmit e Erikson Dudrës nuk reshtën së kërkuari gjykimin e ish-Ministrit, ndërkohë që avokati i tyre tha se vendimi i shkallës së parë ishte i gabuar pasi Mediu nuk është gjykuar për çështjen.

Ndërsa për të vëllanë e të ndjerit Erikson Durda që humbi jetën nga ngjarja e Gërdecit, rihapja e dosjes ishte e papritur.

Geraldo Durda tha se kjo familje ka bërë deri tani 726 kërkesa në gjykata.

 

I pyetur nga Rtv Ora, kreu i SPAK Arben Kraja tha se do të presë vendimin e zbardhur dhe më pas do të veprojnë pasi të njihen me verdiktin e gjykatës.

Ndërkohë avokati i Fatmir Mediut e ka cilësuar vendimin jokushtetues.

Sipas tij është hera e parë në historinë e jurispudencës që një gjyqtare e nivelit më të ulet prish një vendim të gjykatës së lartë.

Përfaqësuesi ligjor shprehet se pasi të njihet me arsyetimin e vendimit do të reagojnë me të gjitha mjetet ligjore.