Politikanët, dy deklarime për pasurinë, ndryshon ligji për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit

Ligji për parandalimin e pastrimit të parave ka pësuar ndryshime në disa nene që kaluan të mërkurën e kësaj jave në mbledhjen e qeverisë.

Në draftin e qeverisë është bërë një saktësim i termit për personat e ekspozuar politikisht.

Për këta të fundit drafti i ri përveçse zgjeron dhe saktëson kategoritë se kush quhen persona të ekspozuar politikisht ndalet edhe tek përcaktimi i atyre që cilësohen si familjarë apo të afërt që janë pjesë e ligjit.

Konkretisht, me variantin e ri “personat e ekspozuar politikisht”, në kuptim të ligjit, janë individët, të cilët janë të detyruar të bëjnë deklarimin e pasurive të tyre, në përputhje me legjislacionin në fuqi për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë, përfshirë anëtarët e familjes apo personat e lidhur në marrëdhënie të ngushta personale, pune apo biznesi, me përjashtim të nëpunësve të nivelit të mesëm apo të ulët drejtues, pavarësisht nëse kanë detyrimin për deklarimin sipas legjislacionit në fuqi për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë.

Po ashtu, personat e ekspozuar politikisht janë individët, të cilët kanë apo kanë pasur funksione të rëndësishme si brenda vendit apo jashtë vendit, në një qeveri dhe/ose në një shtet të huaj, të tillë si: kryetar shteti dhe/ose qeverie, ministra, zëvendësministra ose pozicione të ngjashme me to, anëtarë të Kuvendit ose organeve legjislative të ngjashme, politikanë të lartë, anëtarë të organeve drejtuese të partive politike, gjyqtarët e gjykatave të larta ose kushtetuese si dhe çdo gjyqtar i një gjykate, ndaj vendimeve të së cilës nuk mund të ushtrohen mjetet e zakonshme të ankimit, anëtarët e organeve drejtuese të bankave qendrore, ambasadorët dhe të ngarkuarit me punë si dhe oficerët me gradë madhore në Forcat e Armatosura, drejtuesit e lartë dhe/ose anëtarët e organeve drejtuese të shoqërive shtetërore, si dhe drejtorët, zëvendësdrejtorët ose anëtarët e bordit ose çdo pozicion tjetër i ngjashëm me to në një organizatë ndërkombëtare. Për qëllime të kësaj shkronje, persona të ekspozuar politikisht janë edhe anëtarët e familjes apo personat e lidhur në marrëdhënie të ngushta personale, pune apo biznesi të personave të mësipërm.

Këto individë cilësohen si të tillë deri në tre vite pas largimit nga funksioni. Në shtesë të këtij ndryshimi ligji përcakton anëtarët e familjes së personit të ekspozuar politikisht janë: a) bashkëshorti/ja apo bashkëjetuesi/sja e një personi të ekspozuar politikisht; b) fëmijët dhe bashkëshortët/et e tyre apo bashkëjetuesit/set; c) prindërit e një personi të ekspozuar politikisht.

Drafti parashikon edhe përfshirjen më vete të aktiviteteve të tilla si shitblerjen apo ndërmjetësimin e veprave të artit kur vlera e transaksionit apo disa transaksioneve të lidhura është e barabartë apo më e madhe se 1 milionë lekë.

Neni 10 i ligjit ka zgjeruar mbulimin me informacion për palët e përfshira në një transfertë. Teksa me ligjin aktual informacioni kërkohet i plotë për dërguesin, tashmë me ndryshimet ligjore do të kërkohen të njëjtat të dhëna edhe për përfituesin.

Një tjetër ndryshim që bëhet në projektligj është ai që i jep të drejtë autoriteteve të refuzojnë hapjen e zyrave përfaqësuese nga subjekte që vijnë nga vende me rrezik.

Një tjetër ndryshim është bërë në nenin 27 ku përcaktohen kundravajtjet administrative. Në pikën 3 ku bëhet një renditje e gjobave për rastet kur autoriteti përgjegjës vlerëson shkeljet e konstatuara shtohen dy nënpika të tjera./OraNews/