Qëllon me tre plumba vëllain në Lushnje, konflikti për pronën
Një konflikt pronësie mes dy vëllezërve ka përfunduar në plagosje me armë të njërit prej tyre. Faik Veliu u qëllua me tre plumba ndërsa po ushqente bagëtinë në orët e para të mëngjesit ndërkohë që policia arestoi si autor të ngjarjes vëllain e tij Sami Veliu. Sipas hetimeve ata kanë pasur debate mes tyre për pronësinë e tokës.
Një 65-vjeçar u plagos me armë nga o vëllai në orët e para të mëngjesit në Lushnje.
Faik Veliu ka qenë duke u shërbyer bagëtive dhe kur ka dalë nga dera e kasolles vëllai i tij Sami Veliu e ka qëlluar me armë zjarri kallashnikov.
I dëmtuari nga kjo ngjarje mësohet se është prekur nga tre plumba, megjithatë është nën kujdesin e mjekëve pasi u dërgua në spital në Tiranë.
"Lashë lopatën dhe pashë të vëllain që po ikte me makinë, gratë ulërinin. Atë po e nxirrnin i vëllai dhe nipi. E ndihmova dhe çuam në Lushnje. Një plumb ka marrë në zemër dhe dy poshtë."
Policia tha se autori u largua nga vendgjarja dhe u fsheh në një banesë të braktisur në fshatin Ngurrëz e Vogël.
Pas krehjes së zonës dhe veprimeve hetimore operacionale, forcat e rendit bënë kapjen e të dyshuarit bashkë me armën e zjarrit, një kallëp tritoli bashkë me ndezësin dhe fishekë luftarak.
Hetuesit thanë se nga tërësia e veprimeve hetimore rezulton se shtetasi Sami Veliu ka qëlluar me armë zjarri kundrejt vëllait të tij për motive pronësie.
Ndërkohë banorët thonë se gratë e dy vëllezërve kanë pasur debate mes tyre më parë.
"Gratë bënin poterë por shumë kohë më parë, jo tani."
Pas arrestimit, ndaj autorit të ngjarjes Sami Veliu, policia ka ngritur akuzat për veprat penale "Vrasja në rrethana të tjera cilësuese" e mbetur në tentativë dhe "Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak".



