Punësimet masive në fushatë elektorale, Gjykata i jep të drejtë PD. Urdhëron prokurorinë të nisë hetimet
Gjykata e Apelit në Shkodër ka urdhëruar prokurorinë që të nisë menjëherë hetimet ndaj Bashkisë Vau i Dejës për punësimet elektorale që janë bërë në administratë. Akuza e ngritur nga Partia Demokratike ishte rrëzuar nga gjykata e shkallës së parë, ndërsa tanimë gjithçka ndodhet në duart e organit të akuzës.
Gjykata e Apelit në Shkodër i ka dhënë të drejtë Partisë Demokratike dega Vau Dejës për akuzat e ngritura në prokurori për punësimet masive gjatë fushatës elektorale në territorin e Bashkisë Vau Dejës.
Në një vendim të fundit të Apelit Shkoder urdhërohet prokuroria që të nisë hetime dhe të thërrase në organin e akuzës personat përgjegjës, përfshirë dhe kryetarin e bashkisë së Vaut të Dejës, Mark Babanin.
"Këto shkelje dhe abuzime janë intensifikuar veçanërisht në fushatën zgjedhore të 25 prillit ku punësimet masive në adminisrtatë, bursat e studentëve, paratë e taksapaguesve, ndihma ekonomike, leje, licenca, subvencione u përdorën në funksion të partisë në pushtet. Ky është një element i qartë i asaj që e kemi konsideruar masakër zgjedhore të 25 prillit."
Përfaqësuesi ligjor i PD-së, Marash Logu, zbuloi prova konkrete qe implikojnë administratën e bashkise Vau Dejës në këto punësime masive për fushatën e 25 Prillit.
"Në konviktin e gjimnazit "Ndre Mjeda" megjithë se ushqimi mundësohet me katering janë punësuar kuzhinierë dhe ndihmëskuzhinierë që nuk kryejnë asnjë lloj detyre, e po ashtu në administratën e bashkisë Vau Dejës ka njerëz të punësuar që nuk jetojnë në Shqipëri."
Sipas përfaqësuesve ligjorë të demokratëve këto prova janë vetëm maja e ajsbergut e abuzimeve dhe asaj që ata e quajnë masakër elektorale që ka bërë Partia Socialiste në zgjedhjet e fundit të 25 prillit.