Bashkia e Elbasanit u bllokon kalimin, banorët përplasen me policinë, heqin me forca barrierat

Banorët e lagjes "Emin Matraxhiu" u përplasën me policinë mëngjesin e së premtes duke bllokuar aksin Elbasan-Librazhd. Qytetarët thanë se bashkia dhe policia pa asnjë lajmërim paraprak ka bllokuar rrugën e vetme nga e cila mund të kalojnë për të shkuar në banesat e tyre. Pushteti lokal tha se aksi është kthyer në një problem për aksidentet rrugore.

Rreth 2 mijë banorë të lagjes "Emin Matraxhiu" protestuan duke bllokuar për 40 minuta aksin nacional Elbasan-Librazhd, për shkak të një pengese që është vendosur duke u bllokuar të vetmen rrugë që i lidh me Elbasanin.

Të irrituar banorët kanë kërkuar shpjegim pasi sipas tyre ata nuk ishin njoftuar më parë për këtë bllokim.

"U bëra 54 vjeç dhe nuk është bllokur rruga, të bëjnë mbikalimin."

Qytetarët thonë se ky veprim i izolon tërësisht ata.

"Është rrugë 100 vjeçare, nuk ka të drejtë shteti të na bllokojë. Nuk jemi bagëti ne të mbyllemi në vathë. Kur i mori votat hynte poshtë rrugë."

Policia dhe grupi i posaçëm i Shqiponjave mbërritën në vendin e ngjarjes, ku dhe u përplasën verbalisht me qytetarët e irrituar.

"Do të procedoheni penalisht nëse nuk lironi rrugën. Institucionalisht duhet të paraqisni një kërkesë.Kjo nuk është bllokim rruge por janë marrë masa për të siguruar jetën e qytetarëve.A mundet të dilni të gjithë nga rruga"paralajmëroi shefi i komisariatit të Elbasanit Armand Muça.

Pavarësisht ndërhyrjes së policisë, banorët ia dolën që ti hiqnin bordurat mbrojtëse.


Një i ri duke goditur me çekiç barrierat prej hekuri

Ndërkohë në një njoftim për mediat bashkia e Elbasanit bëri të ditur se ky bllokim ishte bërë për arsye të sigurisë së qytetarëve pasi në këtë aks janë shënuar aksidente të vazhdueshme.