Rihetimi i Fatmir Mediut, avokati i familjes Durda: Hoqëm një pengesë absurde juridike por çështja është e komplikuar
Avokati i familjes Durda, Dorian Matlija, në një reagim pas vendimit të Apelit të Posaçëm për rihetimin e ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu deklaroi se pas 12 vitesh u hoq një pengesë juridike absurde.
Megjithatë ai theksoi se ky është vetëm hapi i parë dhe se procesi do të jetë i gjatë dhe shumë i komplikuar.
"Pas 12 vitesh më në fund kjo pengesë hiqet dhe çështja mund të nisë. Çështja është shumë e gjatë dhe e komplikuar. Edhe Mediu do të bëjë veprimet e veta juridike në bazë të legjislacionit. Jemi ende në fillim. Lajmi i mirë është se është hequr një pengesë absurde juridike.Të gjithë argumentat e shkallës së parë kanë qenë të gabuara".
Ndërsa Geraldo Durda, vëllai i 7-vjeçarit Erison Durda që humbi jetën në Gërdec, u shpreh: "Nuk e prisnim vendimin, do të jemi të pranishëm në gjykatë".
Avokati Matlija nuk ka dijeni mbi çfarë argumentash Apeli rrëzoi vendimin e shkallës së parë por tha se të gjithë argumentat e shkallës së parë kanë qenë të gabuara.
"Të gjithë argumehntat e dhëna nga shkalla e parë kanë qenë të gabuara, i kemi parashtruar dhe në akimin tonë në Apel që mesa duket i ka marrë parasysh. Gjykata e Shkallës së Parë kishte mendimin që ajo çështje është e gjykuar por sipas Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, një njeri quhet i gjykuar vetëm kur është dhënë një vendim dënimi ose dënim pafajësie që në këtë rast nuk ishte asnjëri nga të dyja. Ky ishte nga problemet më kryesore pastaj problemi i afatit lidhet me vepra penale të caktuara. Në dosje janë 26 mijë faqe dokumentacion, nuk mund të flitet që ka vetëm shpërdorim detyre dhe kaq. Është çështje e hetimit për të parë nëse ka vepra të tjera penale që mund të mos jenë parashkruar ende. Kjo është një histori e gjatë që do të dalë nga gjykimi".
Çfarë ndodh tani?
Veprimet e mëtejshme janë ato veprime që bën zakonisht prokuroria kur ka një dosje për ta çuar për gjykim. Do i komunikojë akuzën dhe do ti çojë kërkesën për gjykim GJKKO. Ajo do të vlerësohet nga një gjyqtar i seancës paraprake nëse e plotëson të gjitha kushtet ose jo dhe më pas të çohet për gjykim.
Ekziston mundësia që kjo çështje të jetë parashkruar për shkak të akuzës që Mediu ka pasur në 2009 për shpërdorim detyrë në bashkëpunim?
Në dosje mund të mos jetë vetëm një vepër penale, mund të ketë fakte që interpretohen si vepra të tjera penale që nuk janë parashkruar ende. Psh shkelja e rregullave të sigurisë në punë është e paparashkruar.Mund të ngrihen akuza të tjera ose mund të intepretohet ndryshe. Vepra penale që të parashkruhet duhet të kalojë 10 vite deri në momentin që merresh si i pandehur, ai nuk është se nuk është marrë si i pandehur, është marrë që në 2009. Detyrën ja kanë kryer brenda afateve. Nuk ka asnjë afat ligji shqiptar që të thotë se që nga momenti kur merresh si i pandehur deri në momentin që mbaron gjykimi sa kohë duhet të kalojë. Këto janë defekte të legjislacionit që i ka vuajtur çështja për 12 vite vonesë por nuk është shkelje e afatit të parashkrimit.Është interpretimi jonë, do të shohim çfarë interpretimi ka bërë Apeli.
A e pengon gjykimin nëse Mediu bën rekurs?
Ka dhe gjykata të huaja që mund të implikohen. Patjetër që Mediu do ankohet në gjykatë më të lartë. Pritet ta shohim në zhvillim. Ka mjete juridike në dispozicion.
Do kërkoni heqjen e mandatit të deputetit?
Nuk e di qëndrimin e familjarëve, si avokat e quaj të padrejtë që të kërkoj heqjen e mandatit të deputetit. Është marrëdhënia e tij me zgjedhësit. Lidhja që ka me çështjen e penale është marrëdhëia e tij me ligjin dhe interesat e dëmtuara të dikujt që ka bërë kërkesën në gjykatë. Nuk e shoh problem që ai të jetë deputet sakohë zgjedhësit e duan ama zgjedhësit mund të fillojnë të reflektojnë nëse del diçka në të ardhmen dhe do vlerësohet me votën e radhës. I shoh të palidhura me njëra-tjetrën.
A mund të ngrejë akuza të reja SPAK?
Po, ekziston mundësia të ngrihen akuza të reja. Varet nga një intrepretim juridik që do i jepen fakteve në dosje por dhe zhvillimi i procesit se mund të futemi në gjykim të zakonshëm, mund të thirren dëshmitarë që thonë gjëra që si kanë thënë më parë.
