Speciale RTV Ora - Galeritë që marrin jetë

Me dhjetëra bulqizakë kanë hyrë në këto tunele për të mos u kthyer më.

Qindra të tjerë hyjnë çdo ditë me frikën se nuk do të kthehen më pas.

Edhe pse aksidentet në miniera janë të shumta banorët e Bulqizës vijojnë të punojnë në këto galeri si të vetmen mundësi për të mbijetuar.

Bulqiza, është një ndër qytetet më të varfra të Shqipërisë edhe pse në nëntokën e saj kromi është ndër më të pasurit në Europë.

Zbulimi, shfrytëzimi dhe përpunimi i kromit përbën një ndër aktivitetet më të rëndësishme të ekonomisë së këtij qyteti.

Muharrem Plaku, 60 vjeç u nis mëngjesin e së mërkurës të datës 15 shtator nga shtëpia e tij për të ngjitur këto male.

Ai hyri brenda kësaj galerisë siç ka bërë 37 vitet e fundit çdo ditë .

Por e mërkura e 15 shtatorit ishte dita e fundit për të.

"Mua më ka rënë bomba në shtëpi, ka lënë kalamajtë rrugëve," shprehet në lot gruaja e 60-vjeçarit.

Dita e fundit, por jo vetëm e punës, kjo do të shënonte dhe ditën e fundit të jetës së tij pasi një masiv shkëmbor u shemb duke mos ditur për ditë me radhë për fatin e tij.

Në shtëpinë e zjarrmëtarit të minierës në fshatin Peladhi prisnin lajm, shpresonin edhe pse pa shpresë.

5 ditë pas kërkimeve intensive Muharrem Plaku u gjet pa jetë.

"Mua ma shkatërroi jetën, më ka shkatërruar si shtëpi. Më ka shkatërruar si familje," shprehet gruaja mes lotësh.

Muharremi ishte viktima e 59-të që u shënua 8 vitet e fundit.

"Ka 37 vite në minierë, që kalama ka shkuar në minierë."

"Gjithë jetën e vet aty ka punuar, që kalama i vogël është futur."

Dhimbje të madhe të këtyre minatorëve përjetojnë dhe familjarët e tyre.

Bashkëshortja e Muharremit kujton mes lotësh momentin e fundit kur e përcolli të shoqin drejt minierës së vdekjes.

"E kam përcjellë këtu te porta me një copë bukë në xhep," shprehet mes lotësh ajo.

Tregon se e përcolli burrin për punë si zakonisht, mëngjesin e së mërkurës, ndërsa thotë se zemra i ngriu kur telefoni që ishte sinjal i jetës nuk ra.

"Kur dilte prej pune më merrte në telefon "Dola prej galerie." Atë ditë nuk më çoi zile, kur thotë çuni "O ma është babi im," vazhdon mes lotësh.

Me vdekjen e kryefamiljarëve barra në familjet bulqizake  për mbajtjen e familjes iu bie grave.

"Pas 10 vitesh ndërroi jetë, shkoi për të punuar dhe ndërroi jetë. Unë punoja, i ndihmoja. Fëmijët i kam të 3 në shkollë kështu që vetëm një rrogë nuk më del."

Ndodhem në shtëpinë e Irena Rrushit, 30 vjeçarja e cila prej gati 9 muajsh është e ve pasi bashkëshorti i saj ka ndërruar jetë në një galeri.

Dy anëtarët e familjes Rrushi kanë humbur jetën duke gërmuar krom. Me lot në sy Irena, sot kryefamiljare flet për dhimbjen që kanë lënë pas anëtarët e familjes që ja mori kromi.

"Lajmin e morëm vesh kur erdhi policia të shtëpia dhe më thanë "O Irena ku e ke burrin?" I thashë në punë.

Më tha "Ai ka ndërruar jetë." Në krom ka vdekur burri im dhe vjehrra. Momenti më i vështirë është kur fëmijët e kërkojnë babain. Mungon, normale. Thonë fëmijët "o ma ka ardhur një flutur, është shpirti i babit."

Mungesën më të madhe e ndjejnë më të vegjlit e familjes.

Por jo vetëm banorët e Bulqizës e shohin si mundësi mbijetese punën në krom pasi ka dhe të tjerë nga fshatrat përreth që vijnë e punojnë në galeri.

"Vetëm unë. Jam nga fshati, vij në Bulqizë çdo ditë."

"Po, 40 vite kam punuar."

"Kam 34 vite që punoj, e vështirë është."

E pikërisht këtu në varrezat e qytetit të Bulqizës treten eshtrat e atyre minatorëve të cilët dhanë jetën dhe sakrifikuan për t'i mbajtur me bukë familjet e tyre, pa menduar se një ditë do t'i linin fëmijët jetimë dhe gratë e tyre vejusha.

Kur ishin të gjallë shumicën e kohës e kaluan nën tokë e toka i mori përjetësisht./OraNews/ 

*Shënim 

Gazetare, Sonila Musai

Operator, Esmerald Jahelezaj