Koka: S’po e kuptojmë kush është realisht Basha, përveç Bardhit deputetët e tjerë janë kundër vizionit të tij

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u është përgjigjur akuzave të ish-kryeministrit Sali Berisha i cili e akuzoi për tradhti dhe pazare me kryeministrin Rama lidhur me ndryshimet kushtetuese.

Për gazetarin Bledian Koka, përgjigja e Bashës, ishte jashtë logjikës funksionale të një partie, ndërkohë ka shtuar se tashmë nuk po kuptohet se kush është në të vërtetë Kryetari i opozitës.

Këtë deklaratë e bëri në një intervistë për Ora News, me gazaterin Arnold Kariqi.

Bledian Koka: Nuk mund të vazhdohet më që në vitin 2021, pra 30 vjet pasi ne kemi rrëzuar regjimin e komunist të kemi kryetar autoritar, i cili për hir të interesave të tij personale, të marrë peng fatet jo vetëm të opozicionit të një partie politike por të marrë peng edhe konceptin e opozicionit. Kjo është ajo që Basha duhet të bënte, t’I përgjigjej ose të tregonte se cili është mendimi i tij. Ai dha një përgjigje që është jashtë logjikës funksionale të një force politike, këtu ne kuptojmë se kush është realisht Basha.

Më tej Koka thotë se tashmë, mbështetësit e vetëm të PD, janë Lulzim Basha dhe Gazment Bardhi, teksa shton se deputetët e tjerë janë kundër.

Bledian Koka: Mendoj se e gjithë panorama e gjithë mbështetja, që ka Basha, pas tij janë ata grusht deputetësh me Bardhin në krye. Është panorama që Basha ofron si alternativë përballë arsyes, që kërkohet nga baza e partisë. Unë shoh vetëm ata dy si mbështetësit e PD. Shoh dhe deputetë që për një arsye apo për një tjetër nuk po shprehen, por që janë kundër vizionit dhe logjikës së Bashës. Ishte Luan Baçi që priti Berishën dhe e pamë se çfarë mesazhesh na erdhën jo vetëm nga Berisha por edhe nga pjesëmarrja shumë e lartë e njerëzve.

Koka ka paralajmëruar se ‘Foltorja’ e PD, që do të mbahet të shtunën në Vlorë do të ketë performancë më të ndezur, se në Fier, që u mbajt ditën e djeshme. 

Bledian Koka: Një performancë më e ndezur do të jetë në Vlorë, ku do të jetë dhe takimi i radhës së Berishës me demokratët. Pra baza po flet dhe po flet qartë.”