Mori peng dhe dhunoi të miturin se i hodhi vezë, 2.4 vite burg rrëmbyesit në Fier
Gjykata e Fierit ka dënuar me 2 vjet e katër muaj burg një banor të këtij qyteti të akuzuar për rrëmbimin e një fëmije të mitur. Sipas prokurorisë, Dritan Kola, e ka mbajtur peng të dëmtuarin duke e dhunuar në banesën e tij, teksa i kërkonte të tregonte se kush nga fëmijët e lagjes i kishte hedhur vezë në ballkonin e shtëpisë së tij.
Një histori e pazakontë ka ndodhur në qytetin e Fierit, ku një fëmijë është marrë peng dhe më pas kërcënuar me thikë, pasi kishte qëlluar autorin e ngjarjes me vezë nga ballkoni.
Dritan Kola, tashmë ka përfunduar në gjykatën e Fierit, i pandehur për akuzën e “Heqjes së paligjshme të lirisë” dhe “Vetëgjyqësisë”.
Prokurori Petrit Vukaj kërkoi deklarimin e tij fajtor dhe dënimin me 3 vjet e 6 muaj, që me gjykim të shkurtuar zbriti në 2 vjet e 4 muaj burgim.
Autori i dyshuar Dritan Kola, një pjesë të këtij dënimi e ka shlyer gjatë periudhës së qëndrimit në masën e “arrestit në shtëpi”.
Në dosjen e prokurorisë thuhet se Kola e ka kapur me forcë në rrugë fëmijën e mitur dhe e ka tërhequr zvarrë, duke e futur në apartamentin e tij në 29 dhjetor 2020, raporton Ora News.
Rrëmbimi me forcë dhe nën kërcënimin e një thike është parë dhe nga dy fëmijë të tjerë, të cilët kanë vrapuar dhe i kanë treguar ngjarjen gjyshit të fëmijës me inicialet E.S, i cili është kërcënuar me thikë dhe goditur me pëllëmbë në fytyrë.
Këtë skenë Dritan Kola e ka kryer në sy të gruas dhe dy fëmijëve të tij. Për shkak të dhunës psiqike dhe fizike dhe kanosjes me thikë, i mituri me inicialet E.S ka urinuar nga frika ndërkohë që Dritan Kola kërkonte që ti jepte informacion se kush nga fëmijët që luanin poshtë pallatit kishte qëlluar me vezë ballkonin e apartamentit të tij.
Në këtë kohë në derën e apartamentit ka trokitur gjyshi i fëmijës, shtetasi Osman.S, i cili sapo është hapur dera e shtëpisë, ka vërejtur nipin e tij duke qarë, raporton Ora News.
Në këtë kohë, gjyshi ka marrë përdore nipin dhe është drejtuar në komisariatin e policisë së Fierit duke bërë denoncim.
Në ikje e sipër Dritan Kola i ka thënë Osman.S se nuk trembej nga denoncimi në polici.
Por policia sapo ka marrë kallëzimin nga fëmija dhe prindërit e tij, ka bërë arrestimin e Dritan Kolës, duke bërë që tashmë ai të dënohet me 2 vjet e 4 muaj burgim./OraNews/

