Dritan Leli fiton duelin me drejtorin e Ujësjellësit, shkarkohet Leskaj, ja kush e zëvendëson
Drejtori i Ujësjellësit në Vlorë, Shkëlqim Leskaj, është shkarkuar zyrtarisht nga detyra dy ditë pas përplasjes fizike mes tij dhe kryetarit të bashkisë Dritan leli. Ndërkohë nënkryetari i kësaj Bashkie, Afrim Qendro, ka dhënë dorëheqje nga detyra të mërkurën.
Përplasja mes kreut të Bashkisë së Vlorës Dritan Leli dhe drejtorit të Ujësjëllësit Shkëlqim Leskaj është fituar nga kryebashkiaku.
Shkëlqim Leskaj është shkarkuar përfundimisht nga posti dy ditë pas përplasjes fizike mes dy zyrtarëve të cilët përfunduan në polici.
Të mërkurën ka mbërritur në zyrën e drejtorit të Ujësjellësit letra e firmosur nga të gjithë aksioneret e ndërmarrjes dhe asamblesë së kësaj ndërmarrje për shkarkimin e tij.
Nuk ka vonuar lëvizja e Dritan Lelit, i cili menjëherë ka emëruar në krye të këtij institucioni Elona Hodaj, e cila ka mbërritur në zyrë e shoqëruar nga forca të sigurisë private.
Leskaj nuk ka bërë rezistencë, por ka pranuar urdhrin e shkarkimit të tij nga detya dhe ka liruar zyrën duke thënë se gjithçka ka qenë abuzive.
Në të njëjtën ditë më këtë lëvizje është dorëhequr edhe nënkryetari i Bashkisë, Afrim Qendro, një ndër të besuarit e kryeministrit Rama në këtë institucion.

Menjëherë pas dorëzimit të detyrës, Qendro foli për gropat që ai ka mbushur në bashkinë e Vlorës duke nënkuptuar punët e pambaruara të Dritan Lelit.
Ikja e Qëndros u nënkuptua bashkë me ikjen e drejtuesit politik, Damian Gjiknuri. Ish-numri dy i Bashkisë thuhet se do të ketë një post politik në PS.
