Ish kryeprokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla dënohet me 2 vite burg
Ish kreu i Prokurorisë Shqiptare Adriatik Llalla duhet të vuajë dënimin me dy vite burg.
Vendimi, i formës së prerë u dha sot (22 shtator) nga Gjykata e Posaçme e Apelit, kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, e cila la në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë, për ish-kryeprokurorin duke e dënuar përfundimisht me 2 vite burg.
Gjithashtu Llalla për 5 vjet përjashtohet nga funksionet publike, pasi e gjeti fajtor për “fshehje dhe mosdeklarim të pasurisë”.
Gjykata vendosi dhe konfiskimin e disa pronave të tij, të vëna paraprakisht nën sekuestro, konkretisht: 4 sipërfaqe toke, në 22 mijë metra katrore dhe 1 apartament në Durrës.

Ku është Llalla?
Llalla nuk ishte i pranishëm në seancë dhe avokati Hazizaj tha se klienti i tij është i shtruar në një spital publik në Shqipëri.
"Në spitalin publik pa tjetër. Në Shqipëri nuk kam komunikim sa i takon anës shëndetësore, por vetëm proceduriale."
Avokati pretendoi gjithashtu se vendimi i Apelit ishte i paracaktuar dhe nuk është vërtetuar asnjë akuzë që është ngritur nga prokuroria.
“Copy paste të gjitha pretendimeve të hetimit pa konsideruar asgjë nga mbrojtja”.
Vendimi i Apelit pritet të ekzekutohet duke dërguar në burg ish kreun e akuzës. Zyrtarisht nga Prokurorira e Posaçme bëhet me dije se urdhëri do i dërgohet policisë për ekzekutim ndërsa nese nuk gjendet ne Shqipëri do te shpallet e tij në kërkim.
Ky është rasti i parë që ish Prokuror i Përgjithshëm në Shqipëri dënohet me 2 vite burg për një akuzë të tillë.
Hetimi ndaj ish-kryeprokurorit u regjistrua fillimisht nga Prokuroria e Durrësit më 15 mars 2018 me akuzat e "fshehjes së pasurisë", "shpërdorimit të detyrës" dhe "pastrimit të parave", por më pas ai u hetua edhe për veprën penale të “mosdeklarimit të pasurisë".
Hetimi nisi vetëm disa muaj pasi ai la detyren nga ish drejtuesja e krimeve të rënda Donika Prela.
Fillimisht ai u akuzua për shpërdorim detyre dhe korrupsion akuza që në perfundim ranë dhe u dërgua në gjykatë vetëm për mosdeklarim dhe deklarim të pasurisë në tri raste. Procesi ndaj tij ka patur interesimin e OPDAT të cilët kanë ndjekur çdo seancë
Zyrtari i pare i lartë i dënuar për korrupsion
Ish Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, bëhet i pari zyrtar i lartë që dënohet për korrupsion nga Gjykata e Posaçme e Apelit, kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit
Zoti Llalla është i pari ish zyrtar i lartë nga Shqipëria, ndaj të cilit Departamenti Amerikan i Shtetit mori në vitin 2018 vendimin për t’i ndaluar hyrjen në Shtetet e Bashkuara. Në këtë listë u përfshinë ish deputeti Tom Doshi, ish kryetari i Bashkisë së Durrësit Vanghush Dako e së fundi dhe ish kryeministri Sali Berisha.
