Historia e pazakontë, një grua zhvati 288 mijë euro nga Ronaldo për 3 vite
Të jesh lojtari më i mirë në botë, mund të kesh miliona të ardhura, të shkëlqesh në fushë por gjithashtu bëhesh “pre” e mashtruesve, të cilët janë gati të të zhvasin në çdo moment.
E tillë është ngjarja e Cristiano Ronaldos, yllit portugez i cili ka rënë pre e një mashtrimi të madh, prej të cilit iu morën si pa kuptuar 288 mijë euro nga llogaritë e tij.
Por si mundi të ndodhë me një lojtar si ai?
Historia në fakt është bërë publike sot por ka ndodhur në tre vite, nga 2007 deri në 2010 kur një grua, 53-vjeçe, ka zhvatur nga llogaritë e Cristiano Ronaldos plot 288 mijë euro e jo vetëm kaq por edhe nga agjenti i tij, Jorge Mendes dhe portugezët e tjerë, Nani e Manuel Fernandes 80 mijë euro të tjera.
Pra në total, 53-vjeçarja, Maria Silva kishte boshatisur nga llogaritë e të mësipërmve plot 350 mijë euro që në fakt nuk i gëzoi sepse arriti të kapej dhe të dënohej me 4 vite burg.
Më Konkretisht, zonja në fjalë kujdesej për udhëtimet e Ronaldos dhe agjentit të tij dhe duke krijuar besim te Maria Silva, sulmuesi i kishte besuar kartat e kreditit dhe kodet e tyre.
Ajo ka nisur të mashtrojë e të vjedhë kartat e kreditit me udhëtime imagjinare, plot 200 të tillë që kurrë nuk u bënë nga ana e Ronaldos dhe pas 3 vitesh, 53-vjeçarja u prangos e pas vendimit për 4 vite burg, u lirua me kusht dhe sot po paguan me këste çdo cent nga ajo që ka marrë nga Ronaldo me shokë, shkruan Ora News.
